Aliu: Strategjia e re 2026–2030 synon qasje më të barabartë në shërbimet shëndetësore
Është në zhvillim procedura për miratimin e Strategjisë së re për shëndetin seksual dhe riprodhues për periudhën 2026–2030, e shoqëruar me Plan Veprimi për zbatimin e saj për periudhën 2026–2028, kumtuan pasdite nga Ministria e Shëndetësisë.
Strategjia është përgatitur me mbështetjen e Zyrës së OBSH-së në Shkup, Zyrës së UNFPA-së në Shkup dhe MAGO-s, me pjesëmarrjen e organizatave qytetare që veprojnë në këtë fushë, si dhe të institucioneve shëndetësore dhe ministrive relevante.
Sipas Nermina Fakoviq, koordinatore për mundësi të barabarta në Ministrinë e Shëndetësisë në takimin e 10-të të grupit sektorial për shëndetësi, strategjia e re bazohet në këto parime – qasje multisektoriale për avancimin e shëndetit, integrim të shëndetit publik, arsimit dhe mbrojtjes sociale, harmonizim me politikat e Bashkimit Evropian dhe Programin Nacional për Miratimin e së Drejtës së BE-së (NPAA), fokus në të drejtat e njeriut dhe sigurimin e qasjes së barabartë në shërbimet shëndetësore.
Siç shpjegohet në komunikatë, strategjia parasheh masa dhe aktivitete konkrete në këto fusha prioritare: Planifikimi familjar dhe trajtimi i infertilitetit, kujdes i sigurt për nënën dhe të porsalindurin,
Infeksionet seksualisht të transmetueshme (IST) dhe neoplazmat malinje, shëndeti seksual dhe riprodhues i adoleshentëve, dhuna me bazë gjinore, si dhe menopauza dhe situatat e krizës.
“Në kuadër të periudhës strategjike 2026–2030, janë paraparë këto objektiva kryesore: përmirësimi i qasjes në shërbimet shëndetësore për të gjithë qytetarët, ngritja e vetëdijes publike për shëndetin seksual dhe riprodhues, forcimi dhe rritja e kapaciteteve të sistemit shëndetësor, sigurimi i shërbimeve të integruara dhe cilësore shëndetësore, si dhe menaxhim më i mirë i të dhënave dhe informacionit shëndetësor”, theksohet në dklaratën me shkrim të ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu.
Në komunikatë theksohet se Ministria e Shëndetësisë i përfshin të gjitha palët e interesuara, shoqatat profesionale, organizatat qytetare dhe publikun në procesin e konsultimeve dhe finalizimit të Strategjisë.

