Aksioni operativ “Pastruesi”: Zbulohen raste të shumta të krimit dhe drogës
Policia kriminale ka dal në terren. Ministria e Punëve të Brendshme, përmes Departamentit të Policisë Kriminalistike, në koordinim dhe bashkëpunim me të gjithë Sektorët për Punë të Brendshme dhe Qendrat Rajonale për Çështje Kufitare, që nga shtatori i vitit 2024 po zbaton Aksionin Operativ “Pastruesi” në të gjithë territorin e Maqedonisë.
Aksioni synon evidentimin, ndjekjen dhe zbardhjen e gjendjeve dhe dukurive devijante shoqërore, si dhe zbulimin dhe luftimin e veprave penale që lidhen me krimin e dhunshëm, trafikimin e paligjshëm të drogës dhe krimin ndërkufitar.
Që nga fillimi i Aksionit Operativ “Pastruesi” e deri më sot, zyrtarët policorë kanë kontrolluar dhe verifikuar identitetin e 74.229 personave, ndërsa janë kryer 158.955 kontrolle të personave, automjeteve dhe bagazheve.
Në kuadër të masave dhe aktiviteteve të ndërmarra, janë privuar nga liria gjithsej 5.628 persona, janë kryer 1.158 bastisje në shtëpi dhe ambiente të tjera, ndërsa janë ngritur 1.135 kallëzime penale.
Nga numri i përgjithshëm i kallëzimeve penale, 88 kanë të bëjnë me vepra penale nga fusha e krimit të dhunshëm, ndërsa 1.047 kallëzime penale lidhen me vepra penale të ndërlidhura me trafikimin e paligjshëm të drogës.
Gjatë realizimit të aksionit janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të llojeve të ndryshme të lëndëve narkotike, përfshirë marihuanë, kokainë, amfetaminë, heroinë, hashash dhe tableta MDMA, si dhe armë, mjete financiare, disa automjete dhe telefona celularë.
Për autorët e veprave penale, në përputhje me procedurat ligjore dhe vendimet e organeve kompetente, janë caktuar masa paraburgimi, ndërsa në disa raste janë shqiptuar edhe dënime me burgim.
Në kuadër të aktiviteteve të ndërmarra sipas Aksionit Operativ “Pastruesi”, janë parandaluar edhe disa kanale ndërkombëtare të trafikimit të paligjshëm të lëndëve narkotike, veçanërisht në pikat kufitare Tabanoc, Deve Bair dhe Dojran i Vjetër.
Aktivitetet e realizuara dhe rezultatet e arritura në kuadër të Aksionit Operativ “Pastruesi” tregojnë për një përmirësim të konsiderueshëm të efikasitetit dhe efektivitetit në zbulimin e veprave penale nga ana e zyrtarëve policorë të të gjithë Sektorëve për Punë të Brendshme dhe Qendrave Rajonale për Çështje Kufitare.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se në periudhën e ardhshme do të vazhdojnë me zbatimin e masave dhe aktiviteteve të koordinuara dhe kontrolleve të përforcuara në të gjithë territorin e shtetit, me qëllim zbulimin në kohë, parandalimin dhe luftimin e aktiviteteve kriminale që lidhen me krimin e dhunshëm, trafikimin e paligjshëm të drogës dhe krimin ndërkufitar.

