Abdixhiku: Pezulloj angazhimet për formimin e institucioneve pas nismës për shkarkimin tim
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se do të ndërpresë të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, pas nismës për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të partisë.
Abdixhiku tha se zhvillimet e fundit e detyrojnë të tërhiqet përkohësisht nga procesi i negociatave politike.
“Për shkak të kësaj nisme, më duhet t’ju njoftoj se detyrohem t’i ndërpres të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Republikës”, deklaroi ai.
Sipas tij, në rrethanat e krijuara nuk do të ishte serioze dhe as e përgjegjshme të negocionte në emër të LDK-së, përderisa mandati i tij për ta udhëhequr partinë është vënë në diskutim brenda vetë subjektit politik.
“Në këto rrethana, për shkak të kësaj nisme, nuk do të ishte serioze e as e përgjegjshme të negocioja në emër të LDK-së, pasi mandati im për të udhëhequr me të është vënë në diskutim brenda shtëpisë sime”, u shpreh ai.
Abdixhiku tha se, sado e vështirë të jetë situata, ai nuk beson se bisedimet për formimin e institucioneve kanë qenë arsyeja e ngutjes për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së. Megjithatë, sipas tij, tash që Kuvendi është thirrur, ai mbivendoset mbi çdo angazhim tjetër politik.
“Fatkeqësisht, qytetarët e Kosovës do ta pësojnë më së shumti nga kjo situatë, por edhe vetë LDK-ja”, u shpreh ai.
Kryetari i LDK-së theksoi se respektimi i procedurës së nisur nuk nënkupton heshtje për rrethanat në të cilat po zhvillohet kjo nismë.
Sipas Abdixhikut, nisma për shkarkimin e tij vjen në një moment kritik si për LDK-në, ashtu edhe për vendin, pikërisht në kohën kur po zhvillohen bisedimet për formimin e institucioneve.
“Vjen gjatë bisedimeve për formimin e institucioneve, kur ne nuk do të duhej të kishim asnjë brengë apo të shpenzonim kohë për çështje të tjera, përveç ndërtimit të institucioneve të shtetit”, deklaroi Abdixhiku. /Konanet

