Sela: Nuk mund të mendojmë për BE-në duke shkelur mbi kokën e Agim Islamit e varrin e Rexhail Qerimit
Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, në debatin parlamentar për Raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, ka ngritur çështjen e rastit “Alfa” dhe atë të Rexhail Qerimit, duke kritikuar sistemin e drejtësisë dhe trajtimin e këtyre rasteve.
Sela tha se integrimi evropian nuk duhet të bëhet duke anashkaluar padrejtësitë që, sipas tij, u janë bërë individëve dhe familjeve të tyre. Ai përmendi rastin e Agim Islamit, i cili, sipas Selës, së shpejti mbush 18 vjet në burg, si dhe rastin e Rexhail Qerimit, i cili ka ndërruar jetë pas 14 vitesh burgim.
“Edhe nja 5-6 ditë ose një javë, Agim Islami i bën 18 vjet. Nëse nuk e dini për cilin flas, i mbush 18 vite burg, është rasti ‘Alfa’. Rexhail Qerimi është i vdekur, pas 14 vitesh burg. Ka tre vite a më tepër kur dëshmia bazë, në emër të së cilës ata dëshmojnë se janë plotësisht të pafajshëm, i është nënshtruar ekspertizës ndërkombëtare dhe është dëshmuar se janë të pafajshëm për rastin ‘Alfa’. Sot e kësaj dite është në burg dhe ne merremi se sa gjykatës e prokurorë janë emëruar? 18 vite burg është njeriu, pa faj. T’i konkretizojmë gjërat, janë drama familjesh dhe njerëzish të afërt. Për këtë drejtësi po flasim ne?”, deklaroi Sela.
Ai kritikoi gjithashtu atë që e cilësoi si drejtësi selektive, të politizuar dhe të etnizuar, duke theksuar se vendimet gjyqësore, sipas tij, ndikohen edhe nga përkatësia etnike.
“Prandaj, ne mund të flasim edhe për ndryshimet kushtetuese, mirëpo drejtësia vazhdon të jetë selektive, e politizuar dhe e etnizuar, fatkeqësisht. Dënimet dhe vendimet merren në bazë të përkatësisë etnike që ke. Mund t’u hyjmë me radhë shumë e shumë lëndëve të tjera dhe kështu nuk shkojmë askund”, u shpreh Sela.
Megjithatë, ai theksoi se përcaktimi i tyre mbetet integrimi sa më i shpejtë i vendit në Bashkimin Evropian, por nënvizoi se ky proces duhet të shoqërohet me trajtimin e padrejtësive dhe respektimin e parimeve të drejtësisë.
“Natyrisht, përcaktimi ynë është që ne duhet të bëhemi sa më shpejt pjesë e Bashkimit Evropian. Ne duhet ta shfrytëzojmë momentin kur Bashkimi Evropian e ka shumë të rëndësishme përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Unionit Evropian. Por jo duke mos folur edhe për atë që ndodh, jo që Bashkimi Evropian të jetë duke shkelur mbi kokat e njerëzve, qofshin ata edhe individë të veçantë, dhe pa marrë masa për të qenë të denjë për t’u ulur në këtë union që ne e quajmë të drejtë”, përfundoi Sela.

