(VIDEO) Presidenti Begaj: Pa gjuhë shqipe nuk ka atdhe, nuk ka shqiptari!
Në kuadër të Ditës së Alfabetit, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi një bashkëbisedim me të rinj nga treva të ndryshme shqiptare, të angazhuar në nismën “Fol Shqip”, me të cilët diskutoi për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit për çështjet që i bashkojnë shqiptarët. Duke u ndalur te rëndësia e gjuhës shqipe, Presidenti Begaj theksoi se ajo është një nga elementet themelore të identitetit kombëtar dhe se ruajtja e saj kërkon angazhim të përditshëm, veçanërisht nga të rinjtë. Ai vlerësoi nismën “Fol Shqip”, duke nënvizuar se promovimi i gjuhës shqipe duhet të kthehet në veprim konkret, në familje, në shkollë, në institucione dhe në jetën e përditshme.
SINKRON: BAJRAM BEGAJ, PRESIDENT I SHQIPËRISË
“Duhet të bësh punë të vogla me dashuri të madhe për atë që është më e madhe se të gjithë ne: atdheun. Pa gjuhë, pa “ Fol shqip!” nuk ka atdhe, nuk ka Shqipëri, nuk ka shqiptari”.
Presidenti Begaj u ndal te çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe ligj duhet të zbatohen edhe në praktikë.
Presidenti nënvizoi se çështjet që lidhen me të drejtat e shqiptarëve kërkojnë vëmendje të vazhdueshme dhe bashkëpunim përtej dallimeve politike.
BAJRAM BEGAJ, PRESIDENT I SHQIPËRISË
“Duhet që të gjithë shqiptarët, që janë përfaqësues të shqiptarëve në qeveri apo në opozitë, të bëhen bashkë për këtë çështje. Nuk ka çështje më të madhe se kjo”.
Duke sjellë në vëmendje Kongresin e Manastirit të vitit 1908, si një shembull të bashkimit të shqiptarëve rreth një çështjeje madhore kombëtare, atë të alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe, Presidenti theksoi se edhe sot, kur bëhet fjalë për gjuhën, kulturën dhe të drejtat e shqiptarëve, është e rëndësishme që të gjithë të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të veprojnë së bashku. /SHENJA/

