Gjorgjievski: Shkupi i konsolidon financat, realizon projekte kapitale dhe e fuqizon infrastrukturën
Ulja e borxheve, vazhdimi i projekteve infrastrukturore dhe investimet në transportin publik janë disa nga rezultatet që kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, prezantoi në raportin e tij njëvjeçar.
Sipas tij, gjatë vitit të kaluar detyrimet rrjedhëse të qytetit janë ulur për 322 milionë denarë, ndërsa janë paguar edhe 743 milionë denarë për kredi dhe obligime të tjera. Ulje të borxheve janë shënuar edhe në ndërmarrjet publike, përfshirë “Ujësjellësin dhe Kanalizimin” dhe NTP-në.
Në fushën e infrastrukturës po vazhdojnë punimet në disa projekte rrugore, ndërsa për transportin publik është paralajmëruar blerja e 100 autobusëve të rinj ekologjikë dhe vazhdimi i projektit BRT.
Gjorgjievski përmendi edhe zhbllokimin e ndërtimit të stacionit për trajtimin e ujërave të ndotura në Trubarevë, blerjen e kontejnerëve të rinj dhe transformimin e ish-deponisë së Vardarishtes në park të madh.
Ndër projektet e ardhshme janë edhe ndërtimi i urave dhe rrugëve të reja, realizimi i rrugës së parë nëntokësore dhe digjitalizimi i shërbimeve të qytetit.
Gjorgjievski theksoi se viti i parë ishte i përqendruar në stabilizimin financiar dhe nisjen e projekteve, ndërsa në periudhën e ardhshme fokusi do të jetë përfundimi i tyre dhe realizimi i investimeve të reja.

