Shefi i CENTCOM-it viziton Izraelin në mes të raportimeve për përgatitje të SHBA-së për sulm të mundshëm ndaj Iranit

Shefi i CENTCOM-it viziton Izraelin në mes të raportimeve për përgatitje të SHBA-së për sulm të mundshëm ndaj Iranit

Shefi i Komandës Qendrore të Ushtrisë Amerikane (CENTCOM), admirali Brad Cooper, ka mbërritur të martën në Izrael për t’u takuar me zyrtarë të lartë ushtarakë, në mes të raportimeve për përgatitje amerikane për një rifillim të mundshëm të operacioneve kundër Iranit, raportuan mediat izraelite, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Sipas televizionit Kanali 12, pas mbërritjes në Tel Aviv, Cooper është takuar me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, dhe zyrtarë të tjerë ushtarakë.

Televizioni e përshkroi vizitën si pjesë të udhëtimeve të rregullta të Cooperit për të forcuar bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe koordinimin ushtarak mes dy vendeve. Sipas tij, vizita mund të shërbejë gjithashtu për të shtuar koordinimin në prag të zhvillimeve të mundshme.

Edhe gazeta Yedioth Ahronoth raportoi për mbërritjen e Cooperit.

Kjo vizitë vjen pas asaj të komandantit të Flotës së Pestë të SHBA-së, Curt Renshaw, e cila përfundoi të premten pas bisedimeve me zyrtarë izraelitë lidhur me operacionet detare dhe bashkëpunimin ushtarak.

Në një deklaratë të premten, ushtria izraelite bëri të ditur se Renshaw u takua me komandantin e Marinës izraelite, Eyal Harel, dhe oficerë të tjerë të lartë të forcave detare.

Diskutimet përfshinë “aktivitetet detare gjatë luftimeve në fronte të ndryshme”, thuhet në deklaratë, pa u specifikuar operacionet apo vendndodhjet.

Të dyja vizitat zhvillohen në mes të raportimeve të mediave izraelite për përgatitje ushtarake amerikane për rifillimin e mundshëm të operacioneve kundër Iranit.

Transmetuesi publik izraelit KAN, duke iu referuar burimeve të paidentifikuara të martën, raportoi se kryeministri në detyrë Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, kanë ruajtur udhëzimet që ushtria të mbetet në gjendje gatishmërie për një sulm të mundshëm ndaj Iranit.

Sipas burimeve, Zamir nuk e kundërshton një sulm izraelit, por thekson nevojën për të zgjedhur me kujdes kohën dhe për t’u koordinuar me Washingtonin.

Këto zhvillime vijnë në mes të tensioneve të vazhdueshme pas luftës që nisi më 28 shkurt, shkëmbimeve të mëvonshme të sulmeve dhe ngecjes së negociatave lidhur me lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

MARKETING