(VIDEO) 30 ditë paraburgim për 31-vjeçarin që rrahu dhe mbylli me forcë partneren
Gjykata Themelore në Ohër i ka caktuar 30 ditë paraburgim 31-vjeçarit nga Ohri Kristijan Koraboski i akuzuar për sulmin ndaj partneres së tij 26-vjeçare, ngjarje kjo që ka ndodhur më 15 nëntor. Prokuroria Themelore Publike në Ohër paraprakisht ka ngritur aktakuzë ndaj tij për tri vepra penale lëndim trupor, privim të kundërligjshëm nga liria dhe rrezikim të sigurisë. Sipas Prokurorisë, i akuzuari, gjatë ushtrimit të dhunës në familje, e ka mbajtur të mbyllur në mënyrë të kundërligjshme viktimën, e ka sulmuar fizikisht, i ka shkaktuar lëndime trupore dhe ia ka rrezikuar sigurinë.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE
“Gjatë hetimeve, prokurori publik e ka marrë në pyetje viktimën në prani të përfaqësuesve të shërbimeve sociale, ndërsa është urdhëruar dhe realizuar edhe ekspertizë për llojin dhe karakterin e lëndimeve. Së bashku me aktakuzën, duke marrë parasysh rrethanat e konstatuara në këtë rast, prokurori publik i ka dorëzuar Gjykatës edhe propozimin për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të akuzuarit, i cili ka qenë nën mbikëqyrje gjatë gjithë kohës që nga fillimi i procedurës”.
Për incidentin në fjalë reagime kishte edhe nga partitë politike. Nga LSDM kanë kërkuar përgjegjësi nga ministri i brendshëm Pançe Toshkovski. Deputetja e kësaj partie Jovana Trençevska kërkoi që ndryshimet ligjore për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave të vihen menjëherë në rend dite, pasi siç thotë ajo ato kanë mbetur në sirtar që nga muaji gusht.
JOVANA TRENÇEVSKA, DEPUTETE E LSDM-SË
“Pançe Toshkovski mban përgjegjësinë më të madhe politike për dështimin e masave parandaluese, mosveprimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mbrojtjen e kriminelëve. Ai duhej të kishte dhënë dorëheqje shumë kohë më parë, e jo të priste.Pas çdo viktime të femicidit qëndrojnë denoncime të shumta të pazbardhura dhe raste të mosveprimit të institucioneve. Rasti i fundit i dhunës ndaj Sarës nga Ohri konfirmoi edhe një herë se institucionet nuk funksionojnë, nuk garantojnë sigurinë e grave dhe shërbejnë vetëm si instrument i pushtetit për t’i mbrojtur ata nga përgjegjësia”.
Rasti i dhunës u denoncua më 15 nëntor, kur pas një mosmarrëveshjeje verbale në shtëpinë e tij dhe në veturë, i dyshuari kishte ushtruar dhunë fizike ndaj partneres 26-vjeçare. Si pasojë e goditjeve të fuqishme, vajza kishte humbur vetëdijen dhe ishte rrëzuar, pas së cilës ishte dërguar në spital me lëndime të rënda trupore. SPB Ohër ka ngritur kallëzim penal ndaj 31-vjeçarit K.K. nga Ohri, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Lëndim i rëndë trupor”, sipas nenit 131, paragrafi 3 të Kodit Penal. Pas masave të ndërmarra policore, po atë ditë, në orën 05:05 të mëngjesit, K.K. ishte privuar nga liria dhe ishte mbajtur në stacion policor. Por, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata Themelore në Ohër kishte marrë vendim për caktimin e masave të kujdesit ndaj të dyshuarit, pas së cilës ai ishte liruar.
Kjo shkaktoi reagime të shumta në opinion. Kryeministri Hristijan Mickoski dje në reagimin e tij e dënoi ashpër dhunën ndaj 26 vjeçares dhe deklaroi se si qeveri do të merren bindshëm me rastin në fjalë. Edhe ministri i Drejtësisë Jeton Shasivarii reagoi duke kërkuar që policia prokuroria dhe gjykatat të veprojnë pa presione, privilegje dhe standarde të dyfishta.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

