(VIDEO) Alta Banka, “mollë sherri” mes pushtetit dhe opozitës

(VIDEO) Alta Banka, “mollë sherri” mes pushtetit dhe opozitës

 

MARKETING

Shik.mk

Çështja e Alta bankës ka vazhduar ti rrisë tensionet dhe përplasjet në skenën politike. Nga opozita kërkojnë përgjegjësi dhe hetim urgjent të rastit në fjalë ndërkaq nga qeveria kanë deklaruar se gjendja e bankës është stabile. Nga LSDM kanë kërkuar përgjegjësi nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe Guvernatori i bankës popullore Trajko Sllaveski pasi sipas tyre Sllaveski vazhdimisht thotë se gjithçka është në rregull me Alta Bankën, ndërkaq qytetarët nuk mund të kenë qasje në paratë e tyre. Sekretari i Përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandar Sasha Dimitrijeviq, në konferencën e sotme për media ngriti pyetjen se pse Sllaveski, po fsheh se sa para ka transferuar Vuçiqi në RMV përmes Alta Bankës.

ALEKSANDAR SASHA DIMITRIJEVIQ, SEKRETAR I LSDM-SË

“Për shumë njerëz sot kjo duket e paimagjinueshme, por së shpejti do të tronditen nga detajet që lidhen me VMRO-në, Mickoskin dhe marrëdhëniet kriminale me partinë përparimtare sërbe dhe Vuçiqin. Pse guvernatori po fsheh se sa para ka transferuar Vuçiqi në Maqedoni? A kanë mbetur ato para këtu apo kanë vazhduar më tej drejt Moskës? Tani, kur kontrolli është marrë nga Banka Popullore, nuk mund të thonë se nuk kanë dijeni”.

Sipas BDI-së fakti që Banka Popullore u detyrua të vendosë administrim të përkohshëm dhe kufizime në disponimin e mjeteve, ndërkohë që institucionet dhe ndërmarrjet publike përballen me pasiguri lidhur me funksionimin e tyre financiar, kërkon një hetim të menjëhershëm dhe të thelluar institucional. Ata thonë se veçanërisht shqetësuese është pyetja se sa mjete publike gjenden në Alta Bankë dhe mbi bazën e cilave kritere institucionet dhe ndërmarrjet publike kanë vendosur ti shfrytëzojnë shërbimet e saj.

BDI

“Kërkojmë nga Qeveria dhe Ministria e Financave që të publikojnë një pasqyrë të plotë të të gjitha institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve publike dhe subjekteve të tjera nën kontrollin shtetëror që kanë pasur mjete në Alta Banka, duke përfshirë shumat e sakta, datat e hapjes së llogarive, bazën ligjore dhe personat përgjegjës për marrjen e vendimeve”.

Akuzave të opozitës VMRO-DPMN-ja në pushtet I është kundërpërgjigjur me akuza se Filipçe dhe LSDM-ja, përmes presionit ndaj Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Alta Bankës, po krijojnë terren që një biznesmen i afërt me ata, ta blejë bankën me çmim të ulët. Deputeti i VMRO-DPMNE-së Brane Petrushevski deklaroi se qëllimi i Filipçes dhe LSDM-së në rastin e Alta Bankës është të krijojnë panik dhe kaos në sektorin bankar, duke përhapur pretendime se banka është në prag të falimentimit dhe se është jolikuide, në mënyrë që më pas një biznesmen i afërt me Filipçen dhe Zaevin t’i blejë aksionet me një çmim qesharakisht të ulët.

BRANE PETRUSEHVSKI, DEPUTET I VMRO-DPMNE-SË

“Një nga disa provat që mbështesin këtë informacion është konferenca e djeshme për media e sekretarit të përgjithshëm të LSDM-së, Aleksandar Dimitrijeviq, i cili kërkoi që Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor të mos ua paguajë pensionet përfituesve të Alta Bankës. Me këtë veprim, sipas pretendimit të tyre, ai kryen vepër penale në bazë të nenit 315 të Kodit Penal. Janë zbuluar. Përveç kriminalitetit, parave dhe korrupsionit, asgjë tjetër nuk u intereson”.

Ndërkohë nga VLENI sot kanë deklaruar se këto zhvillime janë një moment i rëndësishëm për të rikthyer vëmendjen te lidhjet dhe marrëdhëniet afariste që, sipas dokumenteve të bëra publike nga VLEN-i, siç thonë ata kanë ekzistuar ndërmjet strukturave të afërta me pushtetin e Vuçiqit dhe njerëzve të afërt me BDI-në. Ata kanë rradhitur disa ngjarje kronologjike për të cilat thonë se ngrenë pyetje serioze për rolin e BDI-sëj në këto marrëdhënie.

VLEN

“Në korrik të vitit 2021, kompania serbe MTEL hyri në tregun e Maqedonisë së Veriut. Në atë kohë, BDI ishte pjesë e Qeverisë, ndërsa Bujar Osmani ministër i Punëve të Jashtme. Gjatë asaj periudhe, Osmani zhvilloi të paktën 11 takime me zyrtarë serbë, procesverbale të të cilave ende nuk janë bërë publike”.

Ndërkaq me kërkesë të grupit parlamentar të opozitës, Komisioni Parlamentar për Financim dhe Buxhet vendosi të mbajë një seancë mbikëqyrëse lidhur me zhvillimet e fundit të Alta Bankës në Manastir. Në seancë u vendos që të zhvillohet një koordinim me anëtarët dhe zëvendësanëtarët e Komisionit për Financim dhe Buxhet, me qëllim përcaktimin e afateve, kohëzgjatjes dhe dëshmitarëve që do të marrin pjesë në seancën mbikëqyrëse.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING