(VIDEO) Hetime në Universitetin e Shtipit, shiteshin nota dhe diploma
Bastisje policore janë kryer në disa lokacione në Shkup dhe Shtip për shkak të dyshimit se një i punësuar në universitetin “Goce Dellçev” dyshohet se për një periudhë të gjatë kohore ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare dhe qasjen në sistemin elektronik për evidencën e studentëve. Nga MPB thonë se po punohet në zbardhjen e plotë të rastit.
GOCE ANDREEVSKI ZËDHËNËS I MPB-SË
“Policët e Sektorit për Punë të Brendshme në Shtip, në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminalistike, Sektorin për punë të brendshme Shkup dhe Sektorin për Krim Kompjuterik, po zhvillojnë një aksion policor me bastisje në disa lokacione në Shtip dhe Shkup. Në qendër të hetimit është një i punësuar në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip, i cili dyshohet se për një periudhë të gjatë kohore ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare dhe qasjen në sistemin elektronik për evidencën e studentëve”.
Sipas informacioneve fillestare, i dyshuari mbante një pozitë drejtuese në sektorin e IT-së të Universitetit, gjë që i mundësonte qasje në sistemet kompjuterike dhe mundësinë për të ndërhyrë në të dhënat e studentëve. Dyshohet se, përmes ndryshimeve të paautorizuara në sistem, ai mundësonte regjistrimin e pikëve nga provimet, regjistrimin e semestrave edhe pse nuk plotësoheshin kushtet e nevojshme, si dhe fshirjen ose ndryshimin e notave të regjistruara më parë. Aktivitetet e dyshuara të paligjshme kryesisht kishin të bënin me studentë nga Turqia, ndërsa i dyshuari, sipas informacioneve të deritanishme, në këmbim merrte shpërblim në para.
Ndërkaq nga universiteti Goce Dellçev në Shtip në reagimin e tyre kanë paralajmëruar bashkëpunim të plotë me MPB-në dhe Prokurorinë kompetente lidhur me hetimin për dyshimet për keqpërdorimin e sistemit elektronik të notave nga ana e një personi të punësuar në universitet. Ata thonë se në universitetin Goce Dellçev ka zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe keqpërdorimeve në komunitetin akademik.
“UNIVERSITETI GOCE DELLÇEV”, SHTIP
“Dëshirojmë ta sigurojmë komunitetin akademik, para së gjithash studentët tanë, stafin mësimdhënës dhe administrativ, si dhe opinionin e gjerë publik, se UGD-ja mbetet e përkushtuar ndaj vlerave themelore akademike, ndershmërisë dhe së vërtetës, si dhe vazhdon të veprojë në mënyrë proaktive në drejtim të luftimit të dukurive devijante”.
Ata thonë se si institucion publik i arsimit të lartë, do të mbeten të përkushtuar ndaj transparencës dhe integritetit institucional.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

