(VIDEO) Osmani: Mobilizimi i mërgatës solli fitore në Bërvenicë

(VIDEO) Osmani: Mobilizimi i mërgatës solli fitore në Bërvenicë

 

MARKETING

Shik.mk

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Bujar Osmani, ka vlerësuar se mobilizimi i jashtëzakonshëm i mërgatës dhe bashkimi i qytetarëve në Bërvenicë përbën një mesazh të qartë kundër politikave që ai i cilëson si anti-shqiptare dhe anti-europiane të VMRO-DPMNE-së dhe Qeverisë. Mbrëmë në emisionin “Debat në SHENJA”, Osmani theksoi se qytetarët kanë filluar të reagojnë ndaj këtyre politikave, duke paralajmëruar se ato nuk mund të mbijetojnë në afatgjatë.

BUJAR OSMANI, NËNKRYETAR I BDI-SË

“Mobilizimi i jashtëzakonshëm i mërgatës, edhe bashkimi i njerëzvë në Bërvenicë, ishte një mesazh për politikat anti-europiane dhe anti-shqiptare të VMRO-DPMNE-së dhe Qeverisë. Kjo është e rëndësishme. Ajo që po ndodh, është se populli ka nisur të përgjigjet, t’u tregon se nuk mundeni në afatgjatë me politika anti-shqiptare dhe anti-europiane. Ndoshta mund të kaloni ndonjë periudhë ta caktuar, të fitoni ndonjë betejë elektorale, mund të qëndroni më pak ose më shumë në Qeveri, por koha në Maqedoni e politikave anti-shqiptare ka marrë fund në vitin 2001”.

Ndërsa i pyetur nga moderatori lidhur me mundësinë e rikthimit të Izet Mexhitit në BDI, në përgjigjen e tij, Osmani nuk dha një qëndrim të drejtpërdrejtë për rikthimin e Mexhitit, por bëri thirrje që të gjithë ata që, sipas tij, kundërshtojnë zhvillimet aktuale politike dhe atë që e cilësoi si “hov të poshtërimit shqiptar”, t’i bashkohen një fronti të përbashkët. Ai theksoi se ky front ka nisur në Bërvenicë dhe do të vazhdojë të kundërshtojë politikat që, sipas tij, cenojnë pozitën e shqiptarëve.

BUJAR OSMANI, NËNKRYETAR I BASHKIMIT DEMOKRATIK PËR INTEGRIM

“Unë thashë, të gjithë ata të cilët e kanë parë këtë katastrofë me sy e me vesh dhe dalin prej atje, dëgjoni me vëmendje se e kanë prej zorit. Edhe kanë çka tregojnë. Në këtë drejtim, secili që mendon se duhet ta ndalim hovin e poshtërimit shqiptar, hovin e normalizimit të statusit të një pakice margjinale, duhet të bëhet pjesë e këtij fronti të madh, që nisi dje në Bërvenicë t’i thotë jo dhe do të vazhdojë t’i thotë jo”.

Ndërkaq sa ju përket përplasjeve së fundit mes ZNAM-it dhe VLEN-it, Osmani theksoi se, pavarësisht kritikave të ndërsjella mes ZNAM-it dhe VLEN-it, VMRO-DPMNE mbetet jashtë këtyre përplasjeve, duke vënë në pikëpyetje mungesën e kritikave të VLEN-it ndaj kësaj partie.

Anida Murati /SHENJA/

 

MARKETING