(VIDEO) Përfaqësimi – Mbi 50 % e popullësisë në Butel janë shqiptarë, mundësi të kenë dhe kryetar
Mundësia që në zgjedhjet e rregullta lokale, të cilat do të mbahen pas tre vitesh, Komuna e Butelit të drejtohet nga një kryetar shqiptar, mund të bëhet realitet. I pyetur nga Televizioni Shenja për këtë çështje, këshilltari i Aleancës Kombëtare për Integrim, Armend Murseli, tha se në Komunën e Butelit jetojnë mbi 50 përqind shqiptarë dhe se kjo komunë ka kuadro të denjë që mund ta ushtrojnë këtë funksion.
ARMEND MURSELI, KËSHILLTAR I AKI-SË NË KOMUNËN E BUTELIT
“Pse mos të ndodhë, kur qytetarët të cilët jetojnë në komunën e Butelit, janë mbi 50 përqind shqiptar, por ne nuk duhet të shohim edhe në atë aspektin se faktikisht, çdo herë të mendohet që në komunën e Butelit, apo edhe në ndonjë komunë tjetër, të mos udhheq një shqiptar, pasi që Buteli ka kuadro të mjaftueshëm që mund të udhëheqin me këtë komunë dhe ta drejtojë atë në mënyrë të barabartë, e jo në këtë mënyrë siç po ndodh tani, në mënyrë diskriminuese nga vet kryetari aktual”.
Kujtojmë se debati për mundësinë e zgjedhjes së një kryetari shqiptar në Komunën e Butelit u rikthye pas fitores së kandidatit shqiptar, Arkin Jahiji, në zgjedhjet e së dielës në Komunën e Bërvenicës, përballë kandidatit të VMRO-DPMNE-së, Stojançe Radiçevski. Pas konfirmimit të fitores së Jahijit, krerët e partive shqiptare nisën ta urojnë atë. Në urimin e kryetarit të Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, u bë edhe një thirrje për mobilizim politik, me synimin për ta rikthyer Kërçovën dhe për ta fituar Butelin, duke thënë se tani radhën e ka Buteli. Kjo deklaratë nuk u prit mirë nga kryetari aktual i Butelit, Darko Kostovski, i cili reagoi duke paralajmëruar se në zgjedhjet e ardhshme kundërshtarët e tij do të pësojnë, siç u shpreh ai, edhe një “nokaut” tjetër, nga i cili do t’u fishkëllojnë veshët për gjashtë muaj.
Samir Mustafa /SHENJA/

