(VIDEO) Çështja e provimit të jurisprudencës, Mickoski: Të respektohet e drejta e gjuhës amtare, por edhe sundimi i së drejtës
Qeveria propozon që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën në të cilën kandidatët kanë përfunduar arsimin e lartë. Kryeministri Hristijan Mickoski bëri të ditur se zgjidhja e hartuar nga Qeveria do t’i dorëzohet Komisionit të Venedikut, duke theksuar se synohet të respektohet e drejta për përdorimin e gjuhës amtare, por njëkohësisht edhe parimi i sundimit të së drejtës. Mickoski tha se propozimi i Ministrisë së Drejtësisë është pikërisht zgjidhja e hartuar nga Qeveria, ndërsa vlerësoi se deri më tani nuk ka pasur iniciativa konkrete për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Zgjidhja që ofrojmë është një zgjidhje e cila, nga njëra anë, mundëson përmbushjen e së drejtës për ta dhënë provimin në gjuhën në të cilën është përfunduar arsimi i lartë, përkatësisht të drejtën për përdorimin e gjuhës amtare, ndërsa nga ana tjetër, të kemi sundim të së drejtës, sepse parimi ‘franca lingua’, përkatësisht një gjuhë në sistemin e drejtësisë, është praktikisht rekomandimi kryesor në mendimin që Komisioni i Venedikut jep për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve”.
Mickoski foli edhe për takimin që ka zhvilluar dje me studentët. Ai tha se qeveria pret përgjigje nga përfaqësuesit e parlamenteve studentore lidhur me propozimin për ndryshimin e modelit të subvencionimit të ushqimit studentor. Pas takimit dyorësh, Mickoski tha se propozimi i Qeverisë paraqet zgjidhje më të mirë se modeli aktual dhe se tani pritet që studentët të japin qëndrimin e tyre.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Patëm një takim konstruktiv që zgjati dy orë. Ne ua shpjeguam propozimin që ka Qeveria dhe vlerësojmë se ky propozim është zgjidhje shumë më e mirë sesa ajo që kanë aktualisht, për të cilën edhe ata u pajtuan. Tani presim përgjigje nga ana e tyre. Na u premtua se po atë ditë, deri në mbrëmje, do të merrnim një version draft të asaj që ata do t’ua komunikojnë kolegëve të tyre. Nuk e morëm. Sot është dita e dytë dhe shpresoj se do ta marrim”.
Propozimi i ri parasheh rritjen e subvencionit për ushqimin studentor nga 3.500 në 4.500 denarë në muaj, si dhe mundësinë e përfitimit të zbritjeve shtesë gjatë blerjes së ushqimeve. Në sistem do të përfshiheshin restorante, markete dhe operatorë të tjerë, ndërsa pagesat do të realizoheshin përmes një shërbimi të veçantë digjital në aplikacionin „M.Shërbime“.
Samir Mustafa /SHENJA/

