(VIDEO) Sulejmani dhe Mustafa kritikuan Ramën për qasjen ndaj protuestuesve
“Rama bëri gabim strategjik, la në plan të dytë qytetarët që luftojnë për mbijetesë”, kështu tha profesori universitar Rizvan Sulejmani mbrëmë në emisionin “Debat në Shenja” duke komentuar krizën politike dhe shoqërore në Shqipëri. Sipas tij, protestat dhe pakënaqësitë qytetare duhen parë si shenja të një gjendjeje më të rëndë shoqërore, duke e krahasuar shoqërinë me trupin e njeriut, i cili përmes simptomave sinjalizon se diçka nuk funksionon siç duhet.
Rizvan Sulejmani, profesori universitar
“Këto që i përmendi Latifi janë indicie të një shoqërie të sëmurë. Një shoqëri është si trupi i njeriut: kur djersitemi, tregon se diçka nuk është në rregull. Megjithatë, ai sistem ka probleme më të thella dhe është i sëmurë. Një ndër gabimet strategjike që bëri Rama ishte se orientimin strategjik e vuri dhe e ngriti mbi çdo kërkesë imediate të një kategorie të madhe të popullit që lufton për jetesë dhe ekzistencë. Atje pensioni mesatar është 170 euro. Ai jeton në një shtet me det, por nuk e sheh detin”.
Ndërkaq analisti politik Latif Mustafa ka komentuar situatën e tensionuar politike në Shqipëri dhe protestat kundër qeverisë së Edi Ramës, duke vlerësuar se pakënaqësitë e akumuluara ndër vite dhe mosrealizimi i kërkesave të studentëve kanë kontribuar në përshkallëzimin e protestave.
Përveç protestave në Shqipëri ai ka komentuar edhe rezultatin zgjedhor në Serbi, duke e cilësuar atë si një tejkalim të madh të pritshmërive. Ai foli edhe për atmosferën gjatë procesit zgjedhor dhe mundësinë e një procesi të demokratizimit dhe të largimit të ndikimeve të trashëguara nga periudha e Millosheviqit.
Latif Mustafa, analist politik
“E kemi pritur një fitore, por deri këtu jo. Është pritur 127, 130, por kjo është vërtet një tejkalim i madh i pritshmërive dhe besoj se do të na duhet kohë për ta analizuar. Atmosfera ishte tepër ngazëllyese. Ka pasur kolona shumë të gjata nga Prishtina. Ka pasur një elan të madh. Politika e ka patatën e nxehtë, nuk mund të flasim për një proces të denacionalizimit, sa për një demokratizim”.
Ndërkohë edhe deputeti i zgjedhur në Kuvendin e Serbisë, Visar Memeti, përmes lidhjes së drejtëpërdrejtë foli për prioritetet e koalicionit shqiptar gjatë mandatit të ardhshëm, mundësinë e bashkëpunimit me Listën studentore dhe kushtet që do t’i vendosin për të gjetur gjuhë të përbashkët me qeverinë e re. Ai theksoi se koalicioni shqiptar ka hartuar një platformë të përbashkët, e cila përmban disa çështje që do të adresohen në Kuvendin e Serbisë.
Visar Memeti, deputet i zgjedhur në Kuvendin e Serbisë
“Pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave, mosinkuadrimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore, çështja e simboleve kombëtare dhe shumë çështje të tjera janë prioritete, të cilave duhet t’u qasemi në Kuvend. E kemi një platformë që i ka disa pika që do të jenë kushte, në bazë të të cilave ne do të ulemi dhe do të gjejmë gjuhë të përbashkët me qeverinë. Nuk është kusht të jemi pjesë e qeverisë, por pse të mos jemi, pasi thirren në ndryshim të madh. Unë jam optimist që do të ketë ndryshime”.
Tutje ai foli edhe për vazhdimësinë e unifikimit politik të shqiptarëve, duke theksuar se çështjet që përfaqëson koalicioni i përkasin të gjithë komunitetit shqiptar. Megjithatë, në nivel lokal, sipas tij, përplasjet politike janë pjesë normale e demokracisë. Në fund, Memeti ka vlerësuar mobilizimin e shqiptarëve në mbështetje të listës së tyre gjatë zgjedhjeve, duke theksuar se përkrahja ka ardhur edhe nga politikanë dhe personalitete shqiptare nga Maqedonia e Veriut.
Anida Murati /SHENJA/

