Lidhja Shqiptare: Kauza Kombëtare nuk është provincializëm, por Afrim Gashi është vasal që mohon edhe identitetin e vetë
Lidhja Shqiptare, e udhëhequr nga Ziadin Sela, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, lidhur me garën zgjedhore në Komunën e Bërvenicës, duke e akuzuar atë për qëndrim të njëanshëm ndaj çështjeve kombëtare shqiptare.
Në reagimin e saj, Lidhja Shqiptare e cilëson si të papranueshme deklaratën e Gashit, i cili dëshirën e shqiptarëve për fitoren e kandidatit shqiptar në Bërvenicë e ka quajtur provincializëm, duke theksuar se uron të fitojë kandidati më i mirë dhe se duhet të marrin fund ndarjet mbi baza etnike.
Reagimi i plotë i Lidhjes Shqiptare:
Sot dëgjuam deklaratën më skandaloze, më të turpshme dhe më poshtëruese të një funksionari shqiptar i cili ri ulur në një kolltuk që u fitua me shumë sakrificë e gjak të derdhur.
Afrim Gashi sot e quajti provincializëm dëshirën e shqiptarëve për fitoren e kandidatit shqiptar në Bërvenicë duke shtuar se ai uron “të fitojë më i miri” dhe lutet që të përfundojnë ndarjet në baza etnike.
Afrim Gashit i cili i ra pishman edhe për atdheun e tij, mohoi gjuhën shqipe, nuk i pengon nacionalizmi i Mickoskit dhe VMRO-së, festa e tyre për “fitoren maqedonase” në Kërçovë e Bërvenicë në zgjedhjet e kaluara, por ju pengon vetëm dëshira e shqiptarëve për fitore aty ku janë shumicë dhe meritojnë fitore.
Lidhja Shqiptare dënon ashpër këtë retorikë të Gashit dhe koalicionit ku ai bën pjesë dhe fton shqiptarët e Bërvenicës që t’i japin përgjigjen e duhur atij dhe Mickoskit të dielën. Përkatësia Kombëtare dhe e drejta e shqiptarëve për të qeverisur me Bërvenicën është e drejtë hyjnore, njerëzore dhe demokratike, sepse shqiptarët aty janë shumicë. Motra e vëllezër, mobilizoheni masovikisht, leni dallimet politike e lojrat e vasalëve, sepse të dielën duhet të fitojë kandiati shqiptar dhe qytetarët shqiptarë të Komunës së Bërvenicës.
– Lidhja Shqiptare
Ziadin Sela, Kryetar

