Kreu i Komunikimeve të Presidencës së Turqisë, Duran e vlerëson COP31 si mundësi për avancimin e diplomacisë klimatike
Organizimi i Samitit të OKB-së për klimën COP31 nga Türkiye do të ofrojë mundësi të rëndësishme për të ndarë me bashkësinë ndërkombëtare vizionin e vendit për diplomacinë klimatike, tha kreu i Komunikimeve, Burhanettin Duran.
“COP31, që do të mbahet në Antalya nga 9 deri më 20 nëntor, është një mundësi e rëndësishme për vendin tonë që të ndajë me bashkësinë ndërkombëtare vizionin e tij në fushën e diplomacisë klimatike”, tha Duran në një panel me titull “Nga Mbetje zero te COP31: Diplomacia klimatike e Türkiyes”, të mbajtur në Drejtorinë e Komunikimeve.
Duran tha se sfidat klimatike, përfshirë humbjen e biodiversitetit, ndotjen e oqeaneve, shkretëtirëzimin, problemet me ujin, ngrohjen globale dhe menaxhimin e mbetjeve, prej kohësh e kanë tejkaluar kapacitetin e vendeve individuale për t’i trajtuar ato vetëm me burimet e tyre kombëtare.
“Diplomacia klimatike është një koncept që e përdorim pikërisht për këtë arsye”, tha ai duke shtuar se politikat qeveritare mund të marrin kuptim vetëm përmes negociatave ndërkombëtare, bashkëpunimit dhe angazhimeve të përbashkëta.
Duran tha se një libër për diplomacinë klimatike, i përgatitur nga Drejtoria e Komunikimeve, synon të bashkojë përvojën, përpjekjet dhe vizionin e Türkiyes në këtë fushë si dhe të kontribuojë në hartimin e politikave dhe në punën e mëtejshme.
Njohuritë shkencore “duhet të pasqyrohen pozitivisht edhe në proceset e vendimmarrjes politike”
Duke theksuar se pasojat e krizës klimatike tashmë po ndihen, Duran tha se politikat ndërkombëtare duhet të vendosin një ekuilibër mes të drejtave sovrane të vendeve dhe përgjegjësive të tyre globale.
Ai tha se nga vendet me përgjegjësi më të madhe për ndryshimet klimatike pritet të krijojnë kapacitete më të mëdha për transferimin e teknologjisë dhe financimin e klimës ndërsa nevojitet një kuadër i drejtë negociatash për të pajtuar interesat kombëtare.
“Njohuritë shkencore nuk mjaftojnë. Ato duhet të pasqyrohen pozitivisht edhe në proceset e vendimmarrjes politike”, tha ai.
Duran iu referua përshkrimit të ndryshimeve klimatike nga shkencëtari politik, Joseph Nye si një “shumëzues i kërcënimeve”, dhe jo thjesht si një krizë ekologjike, duke thënë se kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me drejtësinë dhe barazinë globale.
Ai argumentoi se konfliktet në pjesë të ndryshme të botës kanë pasoja të rënda mjedisore dhe klimatike. “Sulmet e paligjshme të Izraelit ndaj Gazës jo vetëm që kërcënojnë jetën e njerëzve, por edhe e thellojnë krizën klimatike përmes emetimeve intensive të gazeve serrë që çlirojnë në atmosferë”, tha Duran.
Ai shtoi se emetimet e karbonit të shkaktuara nga sulmet e Izraelit që nga tetori i vitit 2023 kanë tejkaluar emetimet vjetore të qindra vendeve dhe se pasojat shtrihen përtej paqes dhe sigurisë rajonale, duke prekur klimën globale.
Politikat klimatike të Türkiyes dhe nisma “Zero Mbetje”
Duran tha se Türkiye ka miratuar një qasje gjithëpërfshirëse për luftimin e ndryshimeve klimatike, duke ratifikuar Marrëveshjen e Parisit në vitin 2021 dhe duke vendosur objektivin për emetime neto zero deri në vitin 2053 nën udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan.
Ai tha se fushat prioritare përfshijnë përmirësimin e efikasitetit energjetik, zgjerimin e energjisë së rinovueshme, uljen e gjurmës së karbonit të industrisë, zhvillimin e praktikave të qëndrueshme bujqësore dhe mbrojtjen e zonave natyrore.
Ai vuri në pah nismën “Zero Mbetje”, të udhëhequr nga bashkëshortja e presidentit, Emine Erdogan, duke thënë se caktimi nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së i 30 marsit si Dita Ndërkombëtare e “Zero Mbetje”, me mbështetjen e 105 vendeve nën udhëheqjen e Türkiyes, pasqyron përpjekjet e vendit.

