(VIDEO) “Fit Baby Spa”, uji dhe masazhi kombinohen në seancat për më të vegjlit
“Lëvizje në ujë, relaks dhe kujdes që nga muajt e parë të jetës. Por a është Baby Spa vetëm një përvojë e këndshme për foshnjat, apo mund të ketë edhe përfitime për zhvillimin e tyre? Kjo është ajo që do të mesojme sot në Fit Baby Spa, duke parë nga afër se si zhvillohen këto seanca dhe çfarë duhet të dinë prindërit para se t’i sjellin bebat e tyre”.
Kujdesi për foshnjat merr forma të ndryshme, ndërsa një prej tyre është edhe Baby Spa, ku uji dhe masazhi kombinohen në seanca të dedikuara për më të vegjlit. Ky koncept po zgjon interesin e prindërve, por bashkë me kureshtjen lindin edhe pyetje: si zhvillohen këto seanca, cilat janë përfitimet e mundshme dhe a është kjo përvojë e përshtatshme për çdo bebe?
Nga Fit Baby Spa thonë se seancat synojnë relaksimin e foshnjave dhe stimulimin e lëvizjeve të tyre, ndërsa procesi përshtatet sipas moshës dhe nevojave të secilës foshnje. Gjithçka fillon me njohjen me foshnjën dhe bisedën me prindërit për gjendjen e saj gjatë ditës, ushqyerjen dhe gjumin. Bazuar në këto informacione, përcaktohet mënyra e zhvillimit të seancës, e cila fillon me hidroterapinë dhe vazhdon me masazhin. Por përtej mënyrës se si zhvillohet seanca, vëmendja kryesore mbetet te përfitimet që mund të ketë kjo përvojë për foshnjat, nga relaksimi deri te stimulimi i zhvillimit të tyre, për të cilat më shumë shpjegon specialistja e fizioterapisë dhe themeluesja e Fit Baby Spa, Rita Sinani Halimi.
Rita Sinani Halimi, specialist e fizioterapisë dhe themeluese e Fit Baby Spa
“Prej baby spas, prej hidroterapisë përfitimet janë sepse që nga moshat e hershme foshnjet kanë liri në lëvizje përshkak se ju vendoset një çafore përreth qafës e cila është më se e sigurt dhe e mban kokën drejt, në të njejtën kohë foshnjet kanë mundësi që të bëjnë lëvizje të lira me të gjithë ekstremitetet dhe me pjesën e trupit, ajo ndikon shumë në relaksim si dhe në stimulim të zhvillimit të foshnjeve. Masazha gjithashtu ndikon në relaksim, në përmirësim të gjumit, në përmirësim të kolikave apo dhimbjeve të barkut që i kanë dhe kapsllëkut, në përgjithësi është shumë e mirë për ‘well-being’ mirëqenien”.
Sipas Ritës, foshnjat mund t’i fillojnë seancat që në javët e para të jetës. Në Fit Baby Spa, prindërit zakonisht i sjellin foshnjat nga java e dytë, ndërsa disa zgjedhin të presin deri në muajin e parë. Megjithatë, përshtatshmëria e seancës duhet të vlerësohet sipas gjendjes dhe nevojave të secilës foshnjë. Skepticizmi i prindërve ndaj një metode të tillë mbetet një nga sfidat, ndaj për për të afruar më shumë prindërit me këtë shërbim dhe për t’u dhënë mundësi të shohin nga afër efektet e masazhit te foshnjat, Fit Baby Spa ka realizuar një bashkëpunim me Spitalin Gjinekologjik “Nënë Tereza” në Çair, përmes të cilit foshnjat mund të përfitojnë një seancë masazhi falas.
Rita Sinani Halimi, specialist e fizioterapisë dhe themeluese e Fit Baby Spa
“E kuptoj skepticizmin tek prindërit dhe e kuptoj se ata duan që kur të shkojnë në një trajnim, apo në një seancë të ndjehen më se të sigurtë për vendin ku shkojnë dhe ta dinë se tretmani është i sigurt. Çka do thoja, është që le të vijnë, ta provojnë, le ta shohin ambientin, le ta shohin kujdesin, le ta shohin mënyrën se si vijon një tretman dhe mos ta kenë mandej atë si trend mirëpo të shihet se me të vërtetë ka benefitet e saja, dhe mu për këtë qëllim Fit Baby Spa e ka bërë një bashkëpunim me spitalin Gjinekologjik Nënë Tereza në Çair që secila foshnje të ketë mundësi ta ketë një seancë faktikisht të masazhit për ti pa benefitet e masazhit tek foshnja dhe ajo seancë është falas”.
Pas përfundimit të seancës, reagimet e foshnjave mund të jenë të ndryshme. Sipas Ritës, shumë prej tyre qetësohen dhe i zë gjumi menjëherë pas hidroterapisë dhe masazhit, ndërsa të tjera qëndrojnë zgjuar dhe kureshtare ndaj ambientit përreth. Kjo, sipas saj, varet nga mënyra se si reagon secila foshnjë, pasi përvoja pas seancës është individuale.
Anida Murati /SHENJA/

