(VIDEO) Suspendohen policët që rrahën dy të rinjtë në Saraj
MPB ka njoftuar se për rastin e përdorimit të tepruar të forcës nga ana e zyrtarëve policor, ndaj dy të rinjve nga Shkupit, ka iniciuar procedurë për shkelje të rendit dhe disiplinës së punës dhe do të shqiptohet masa e largimit nga vendi i punës, gjegjësisht suspendimi. Nga MPB njoftuan se po ndërmerren masa dhe veprime për përdorimin e tepruar të forcës fizike dhe shkaktimin e lëndimeve trupore ndaj personave nga ana e zyrtarëve policorë gjatë ushtrimit të autorizimeve policore.
Ministria e Punëve të Brendshme
“Nga kontrollet e kryera, incizimet e siguruara nga ngjarja dhe deklaratat e personave që kanë qenë dëshmitarë të saj, janë konstatuar një sërë parregullsish në veprimet e zyrtarëve policorë. Për këtë arsye, Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së do të iniciojë procedurë për shkelje të rendit dhe disiplinës së punës ndaj gjashtë zyrtarëve policorë, si dhe do t’u shqiptojë masën e largimit nga vendi i punës – suspendim”.
Ata shtojnë se lidhur me kallëzimet për ngjarjet me elemente të veprave penale, të paraqitura pranë Departamentit për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale dhe Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup, prokuroritë kompetente kanë lëshuar urdhra për ekspertiza, të cilat janë në proces të realizimit.
Pas dokumentimit të të gjitha provave, do të dorëzohen parashtresat përkatëse.
Rasti në fjalë ka ndodhur më 7 tetor, pas çka dy të rinjtë deklaruan se, policia i ka rrahur barbarisht, duke ua lidhur duart dhe duke i shtrirë në tokë Sipas informacioneve në raportimin intern policor është raportuar sikur dy të rinjtë, njëri 21 dhe tjetri 23 vjeç, ia kanë marrë policit pistoletën. Por, sipas deklaratave të dy të rinjve, pistoleta e policit ka përfunduar në veturën e tyre si pasojë e thyerjes së xhamit nga policia! Sipas tyre, në përpjekje për ta marrë pistoletën, policët kanë shtënë me armë në ajër dhe në drejtim të veturës. Pasi ua kanë shpuar gomat, të rinjtë kanë humbur kontrollin e veturës dhe janë përplasur.
Teuta Buçi /SHENJA/

