(VIDEO) Rrahja e të rinjve nga policia, partitë shqiptare kërkojnë përgjegjësi dhe zbardhjen e rastit
Policia ende nuk ka publikuar detajet nga rrethanat në të cilat dy të rinjë shqiptar mbetën të rrahur brutalisht nga forcat policore. Dy ditë pas videos së publikuar, ku dy të rinjtë folën për rastin, ende pritet raportisë për sqarimin e situtës. E ndërsa vazhdon hetimi i policisë, kanë vazhduar edhe reagimet e partive shqiptare. VLEN ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me rastin dhe ka kërkuar hetim të paanshëm, transparent dhe përgjegjësi ligjore në rast se konstatohen shkelje.
VLEN
“Qëndrimi ynë është i qartë: dhuna nuk mund të arsyetohet me uniformë, ndërsa çdo tejkalim i kompetencave dhe çdo shkelje e ligjit duhet të marrë përgjigjen e merituar. Nëse hetimi konstaton se zyrtarët policorë kanë tejkaluar kompetencat e tyre, ata duhet të mbajnë përgjegjësi, në përputhje me ligjin. Kërkojmë që procedura të zhvillohet me seriozitet, paanshmëri dhe transparencë, deri në sqarimin e plotë të të gjitha rrethanave. Po ashtu, i bëjmë thirrje Prokurorisë që, në bazë të provave dhe gjetjeve të hetimit, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore”.
Ndërkaq, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kritikuar VLEN-in për qëndrimin e tij lidhur me rastin e dy të rinjve nga Saraji, duke kërkuar veprime konkrete institucionale, zbardhjen e plotë të rastit dhe dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni.
BDI
“Përgjegjësia individuale e zyrtarëve policorë dhe përgjegjësia institucionale nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, ato duhet të ecin paralelisht. Hetimi duhet të jetë i plotë dhe transparent, ndërsa institucionet përgjegjëse duhet të japin llogari për çdo veprim apo mosveprim. BDI-ja përsërit kërkesën për zbardhjen e plotë të rastit dhe për përgjegjësi institucionale e politike. Ministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, duhet të mbajë përgjegjësi për mënyrën se si trajtohet ky rast dhe të japë dorëheqje”.
Sipas informacioneve në raportimin intern policor është raportuar sikur dy të rinjtë, njëri 21 dhe tjetri 23 vjeç, ia kanë marrë policit pistoletën. Por, sipas deklaratave të dy të rinjve, pistoleta e policit ka përfunduar në veturën e tyre si pasojë e thyerjes së xhamit nga policia! Sipas tyre, në përpjekje për ta marrë pistoletën, policët kanë shtënë me armë në ajër dhe në drejtim të veturës. Pasi ua kanë shpuar gomat, të rinjtë kanë humbur kontrollin e veturës dhe janë përplasur. Më pas, sipas deklaratave të tyre, policia i ka dhunuar barbarisht, duke ua lidhur duart dhe duke i shtrirë në tokë.
Teuta Buçi /SHENJA/

