(VIDEO) Bytyqi: Masat e Qeverisë për naftën të vonuara
Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, duke folur për çmimet e naftës në emisionin IMPAKT, tha se, qeveria është vonuar me vendosjen e masave. Ai tha se, tani kur qeveria ka ulur TVSH-në, çmimet e produkteve veç më janë rritur dhe në momentin që kemi rritje të çmimeve, ato asnjëherë nuk kthehen mbrapsht, pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë.
FATMIR BYTYQI-DEPUTET I LSDM-së
“Ne në muajin prill dhamë po të njëjtat masa që tani qeveria dalëngadalë po i implementon. Atëherë thamë, të ulen akcizat, ose në proporcion ose totalisht të hiqen akcizat dhe të hiqet një pjesë e TVSH-së prej 18 në 5%. Sepse, në atë mënyrë, direkt drejtpërdrejtë qytetari dhe biznesi do i kishin ndjerë më pak rritjen e çmimit me pakicë”.
Bytyqi foli edhe për propozimin për rritjen e pagës minimale dhe mbështetjen e sektorit privat përmes subvencionimit të kontributeve, për çka është shprehur se Qeveria nuk është e gatshme ta përkrah një ligj të tillë dhe se nuk mjafton vetëm përkrahja e partive opozitare.
FATMIR BYTYQI-DEPUTET I LSDM-së
“Mendoj se partitë opozitare të gjitha do ta përkrahin, por nuk është e mjaftueshme vetëm partitë opozitare ta përkrahin, na duhet edhe partitë në pushtet. Këtu për shembull, unë me të vërtetë habitem kur i shoh partnerët e koalicionit, përveç VMRO-së që është VLEN-i dhe ZNAM-i, pse ata nuk do të përkrahin një ligj të tillë”.
Bytyqi bëri të ditur se dallimi i këtij ligji për pagën minimale, është se ka një instrument tjetër që i ndihmon sektorit privat.
Zebushe Ramadani /SHENJA/

