Bytyqi për çmimin e naftës: Nëse do të pranoheshin masat tona në prill, nuk do të kishte shtrenjtim të produkteve
Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, në emisionin “IMPAKT” në TV Shenja ka folur për rritjen e çmimeve të karburanteve dhe ndikimin e tyre te qytetarët dhe bizneset.
“Ne në muajin prill dhamë po të njëjtat masa që tani qeveria dalëngadalë po i implementon. Atëherë thamë, të ulen akcizat, ose në proporcion ose totalisht të hiqen akcizat dhe të hiqet një pjesë e TVSH-së prej 18 në 5%. Sepse, në atë mënyrë, direkt drejtpërdrejtë qytetari dhe biznesi do i kishin ndjerë më pak rritjen e çmimit me pakicë.
Dallimi është shumë i thjeshtë, nuk do të kishte rritje të çmimeve me pakicë të produkteve finale të konsumit të gjerë në nivel që kemi tani. Sepse, ka një fenomen që njihet në ekonomi, në momentin që kemi rritje të çmimeve, asnjëherë nuk kthehen mbrapsht, pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë.
Nesër pasnesër nëse çmimi i mishit ka shkuar në 900 denarë për kilogramë, mos prisni se ai do të bjerë në 500 denarë, sikur edhe të kemi inflacion 0. Ka mbaru”, deklaroi Bytyqi.

