BOTA NË FOKUS | Perëndimi humbet monopolin? BRICS kërkon rishkrimin e rregullave
Siç e shohim të gjithë, bota ka hyrë në një gjendje të frikshme kaosi që nëse sistemi ndërkombëtar nuk i nënshtrohet një reformimi gjithpërfshirës, pasojat mund të jenë katastrofike. Përveç luftërave në Lindjen e Mesme e Afrikë, struktura ekstreme të shteteve të fuqishme kanë shtrirë ndikimin edhe në Amerikën Latine e nuk kanë lënë pa trazuar edhe gjendjen politike në Ballkan.
-Reformimi i sistemit ndërkombëtarë u kërkua edhe nga samiti i fundit i BRICS-it, një organizatë që po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një nga qendrat kryesore të fuqisë në sistemin ndërkombëtar. Me zgjerimin e tij, grupimi përfaqëson afro gjysmën e popullsisë së botës dhe rreth 40 për qind të ekonomisë globale, sipas fuqisë blerëse.
-Por rëndësia e tij nuk qëndron vetëm te madhësia ekonomike. Ajo u bë veçanërisht e dukshme në samitin e fundit në Nju Delhi, ku më 12 dhe 13 shtator vendet anëtare miratuan Deklaratën e Nju Delhit. Në të, BRICS deklaron hapur se arkitektura aktuale e marrëdhënieve ndërkombëtare duhet të përshtatet me realitetin e ri të botës dhe kërkon forcimin e multilateralizmit dhe multipolaritetit.
-Grupi kërkon më shumë përfaqësim për vendet në zhvillim në vendimmarrjen globale dhe reformimin e Kombeve të Bashkuara, përfshirë Këshillin e Sigurimit. Por kërkesa për ndryshim shkon edhe në ekonomi. BRICS kërkon reformimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, në mënyrë që pesha e vendeve në zhvillim në votim dhe vendimmarrje të pasqyrojë më mirë fuqinë e tyre reale ekonomike. Në të njëjtën kohë, BRICS po ndërton mekanizma që mund ta zvogëlojnë varësinë nga sistemi financiar i dominuar nga Perëndimi. Avdi Bakiju /SHENJA/

