Amnesty paralajmëron se Izraeli po përshpejton aneksimin e Bregut Perëndimor me konfiskime të reja tokash
Amnesty International ka deklaruar se Izraeli po intensifikon aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar përmes urdhrave për konfiskimin e tokave, të cilët shtrihen edhe në territorin e administruar nga Autoriteti Palestinez, transmeton Anadolu.
Organizata me seli në Londër për të drejtat e njeriut tha se ushtria izraelite në muajin korrik lëshoi të paktën 15 urdhra që përfshinin rreth 200 dynymë (20 hektarë) në zonat A dhe C të provincës së Jeninit.
Organizata tha se konfiskimet thuhet se synojnë të mundësojnë ndërtimin e një rruge që do të lidhë vendbanimet e planifikuara Emek Dotan dhe Noa, të cilat janë mes 34 vendbanimeve të reja të miratuara nga qeveria izraelite në fillim të këtij viti.
Zona A ka qenë zyrtarisht nën administrimin civil dhe të sigurisë të Autoritetit Palestinez që nga Marrëveshjet e Oslos.
Duke cituar organizatën izraelite Paqe Tani, e cila monitoron vendbanimet, Amnesty International tha se kjo ishte hera e parë që nga Marrëveshjet e Oslos që urdhrat ushtarakë për konfiskimin e tokave kishin shënjestruar hapur Zonën A për projekte civile në dobi të kolonëve dhe jo për qëllime të pretenduara sigurie.
Sipas deklaratës, toka e konfiskuar është kryesisht pronë private e palestinezëve nga disa fshatra të Jeninit.
Zyra e guvernatorit të Jeninit tha për Amnesty International se zbatimi i urdhrave kishte filluar dhe mund t’ua ndërpresë qindra familjeve qasjen në tokat bujqësore dhe ullishtat e tyre përpara sezonit të vjeljes.
Organizata tha se rruga e planifikuar dhe projektet e tjera të vendbanimeve mund ta shkëputin Jeninin nga provincat fqinje të Tulkaremit, Tubasit dhe Nablusit, duke fragmentuar më tej komunitetet palestineze dhe duke ndërprerë lidhjet ekonomike dhe shoqërore.
Amnesty International u bëri thirrje vendeve që kanë marrëdhënie të ngushta me Izraelin t’i bëjnë presion qeverisë izraelite që t’i tërheq urdhrat, ndërsa u kërkoi autoriteteve izraelite të ndalojnë zgjerimin e vendbanimeve.
Sipas së drejtës ndërkombëtare, vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor, janë të paligjshme, por Izraeli e kundërshton këtë cilësim.

