Shtatë vdekje nga ethet e Nilit Perëndimor në vend
Vdekja e shtatë nga ethet e Nilit Perëndimor në vend është regjistruar ditët e fundit, njoftoi në konferencën e sotme për shtyp ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
“Sa i përket gjendjes me ethet e Nilit Perëndimor, që nga informimi im i fundit kemi një person të vdekur. Bëhet fjalë për pacientin i cili ishte i hospitalizuar për kohën më të gjatë – mbi 38 ditë në spital. Kemi edhe një rast të ri të dyshimtë gjatë këtyre tre ditëve nga informimi i fundit. Pra, numri i pacientëve të hospitalizuar është i njëjtë, mendoj se janë 19 pacientë, pasi kemi vetëm një rast të ri të dyshimtë”, u përgjigj Klekovski në pyetjen e gazetarëve.
Viktima e fundit nga ethet e Nilit Perëndimor ishte nga Komuna e Gazi Babës në Shkup i moshës 69 vjeç.
“Në thelb, gjatë kësaj jave, përkatësisht gjatë ditëve të fundit, që nga fundjava e deri tani, të gjitha rastet e reja janë nga Shkup Veriu. Dhe tashmë është biseduar me kryetarët përkatës të komunave që t’u kushtojnë vëmendje aktiviteteve atje”, tha Klekovski.
Ai u pyet edhe për të shpjeguar pse të gjitha rastet e vdekjeve nga ethet e Nilit Perëndimor në vend janë të gjinisë mashkullore.
“Studimi më i madh është kryer në Amerikë, mbi më shumë se 3.000 raste. Në atë studim është e qartë se si morbiditeti, gjegjësisht shkalla e sëmundjes me formën neuroinvazive, ashtu edhe vdekshmëria janë më të larta te meshkujt. Pra, tek ne morbiditeti është 3,7 : 1 në raportin meshkuj : femra. Kjo është një karakteristikë demografike. Dy gjendje të tjera janë të lidhura ndjeshëm si me morbiditetin ashtu edhe me vdekshmërinë: e para është insuficienca kronike e veshkave, ose sëmundja kronike e veshkave, ndërsa e dyta janë incidentet e mëparshme cerebrovaskulare, pra goditjet e mëparshme në tru dhe hemorragjitë. Është e mundur, hipotetikisht, që te meshkujt incidentet cerebrovaskulare të jenë më të shpeshta, pasi e dimë se statistikisht femrat, veçanërisht gjatë një pjese të madhe të jetës, janë të mbrojtura nga incidentet kardiovaskulare”, shtoi Klekovski.

