Plenkoviq: Glorifikimi i Mlladiqit moralisht i papranueshëm, Serbia nuk do t’i bashkohet Evropës në këtë mënyrë

Plenkoviq: Glorifikimi i Mlladiqit moralisht i papranueshëm, Serbia nuk do t’i bashkohet Evropës në këtë mënyrë

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq të mërkurën dënoi glorifikimin e kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq në Banja Llukë dhe paralajmërimet se ai do të varroset në Beograd me nderimet më të larta shtetërore, duke thënë se një qëndrim i tillë ndaj një personi të dënuar për gjenocid në Srebrenicë përbën dështim të plotë politik dhe është moralisht i papranueshëm, si dhe se Serbia nuk do të shkojë drejt Evropës në këtë mënyrë, raporton Anadolu.

MARKETING

Description of image

Plenkoviq të mërkurën në Gospiq komentoi glorifikimin e figurës dhe veprës së kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq në Banja Llukë, në entitetin e Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, ku më shumë se një mijë persona u mblodhën për t’i bërë nderime Mlladiqit, i cili vdiq javën e kaluar në Hagë.

“Nuk është vetëm në Republikën Sërpska. E gjithë Serbia u hodh në këmbë për shkak të Bledit, ku thashë se me glorifikimin dhe dhënien e karakterit shtetëror funeralit ose ceremonisë së përcjelljes së Ratko Mlladiqit, kriminelit të dënuar të luftës në Hagë për gjenocid në Srebrenicë, njeriut që udhëhoqi agresionin e regjimit të Millosheviqit të Serbisë së Madhe që kur ishte oficer i JNA-së dhe që është përgjegjës për krimet më të rënda, si dhe duke i kushtuar atij lavde të tilla. Ata vajtojnë për të, dhe kjo do të thotë se Serbia dhe zyrtarët e saj jo vetëm që nuk e kanë kaluar katarzën, por nuk kanë bërë as hapin e parë drejt asaj se ku duan të jenë, cilat vlera ndajnë dhe si do të hyjnë të tillët në Evropë. Në këtë mënyrë, sigurisht që nuk do të hyjnë”, tha Plenkoviq.

Ai vazhdoi duke thënë se ky nuk është qëndrim vetëm i Kroacisë, por edhe i Bashkimit Evropian.

“Kanë ardhur gjenerata të reja të të rinjve që nuk kanë asnjë lidhje me atë që ndodhi në vitet 90. Ata e dinë nga informimet, të cilat po bëhen gjithnjë e më sipërfaqësore. T’i jepen nderime shtetërore një personi të tillë do të thotë se duhet të kthehen në klasën e parë të shkollës kur bëhet fjalë për vlerat themelore. Në klasën e parë të shkollës. Këtë e them qartë dhe me zë të lartë që t’i kuptojnë përmasat e dështimit të plotë politik dhe papranueshmërisë morale të nderimit të një krimineli lufte”, tha Plenkoviq.

Deklaratat vijnë pas paralajmërimeve se krimineli i dënuar i luftës Ratko Mlladiq, i cili vdiq ndërsa vuante dënimin e përjetshëm me burgim në Hagë, do të varroset në Beograd me nderimet më të larta shtetërore.

Mlladiq, ish-komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Republikës Sërpska, u dënua përfundimisht në qershor 2021 me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, përndjekjen e boshnjakëve dhe kroatëve, terrorizimin e qytetarëve të Sarajevës dhe marrjen peng të pjesëtarëve të UNPROFOR-it.

Ai vdiq më 27 gusht në burgun e Hagës.

MARKETING