(VIDEO) Shtyhet seanca gjyqësore për rastin e “Lotarisë Shtetërore”

(VIDEO) Shtyhet seanca gjyqësore për rastin e “Lotarisë Shtetërore”

Është shtyrë seanca kryesore në lëndën për keqpërdorime të dyshuara në SHA “Lotaria Shtetërore”, ku ndër të akuzuarit është edhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe shtatë persona të tjerë.

MARKETING

Description of image

Gjyqtarja Biljana Shuplinovska-Jovevski sqaroi se shtyrja është e nevojshme që të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre të kenë kohë të mjaftueshme për të shqyrtuar provat e dorëzuara, për t’u njohur me përmbajtjen e tyre, për të përgatitur mbrojtjen dhe për të dorëzuar listën e provave që propozojnë të administrohen gjatë procedurës.

Seancat e radhës, siç sqarojnë nga atje, janë caktuar për shtator dhe tetor.

Aktakuzën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski. Prokurorët kanë paralajmëruar administrimin e 231 provave materiale, ekspertizave dhe dëshmive të shtatë dëshmitarëve.

Së bashku me Grubin, në këtë rast janë gjithsej tetë të akuzuar. I akuzuari i parë është ish-drejtori i përgjithshëm i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, i cili është në arrati dhe ndaj tij gjyqi zhvillohet në mungesë. Të gjithë të tjerët janë të pranishëm dhe sot u paraqitën në sallën e gjyqit. Mes tyre janë ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski, si dhe pesë anëtarë të Bordit Mbikëqyrës të Lotarisë Shtetërore.

Aktakuza për këtë rast është dorëzuar më 13 gusht. Bëhet fjalë për një propozim-akuzë dhe gjykimi do të zhvillohet sipas procedurës së shkurtuar.

Kujtojmë se Prokuroria Themelore Publike Shkup më 13 gusht 2026 ka ngritur aktakuzë kundër gjithsej 8 personave si bashkëkryerës të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” nga neni 353 paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 4 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal, për çka parashihet dënim me burg prej më së shumti pesë vite. Të akuzuarit dyshohen se gjatë viteve 2023 dhe 2024 bashkërisht kanë ndërmarrë veprime me të cilat i kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve dhe detyrave të veta të posaçme, me qëllim që ta dëmtojnë Lotarinë Shtetërore në vlerë të 8,2 milion euro.

Për Artan Grubin është propozuar vazhdimi i masës së mëparshme të caktuar të arrestit shtëpiak, e cila i është caktuar së bashku me masën e kujdesit, marrjen e përkohshme të dokumentit të udhëtimit dhe ndalimin e lëshimit të dokumentit të udhëtimit ose dokumenteve të tjera për kalimin e kufirit shtetëror. Grubi u arrestua në shkurt të këtij viti në pikën kufitare “Bllacë”, pas më shumë se 14 muajsh i pa kapshëm për organet e ndjekjes. Në vend të paraburgimit efektiv, atij iu caktua arrest shtëpiak për arsye sigurie.

Prokurori publik kompetent ka propozuar që edhe për të akuzuarit e tjerë të caktohen masa kujdesi, detyrimi për t’u paraqitur periodikisht në Gjykatë, marrja e përkohshme e dokumentit të udhëtimit ose dokumenteve të tjera për kalimin e kufirit shtetëror, si dhe ndalimi i afrimit ose vendosjes, përkatësisht mbajtjes së kontakteve apo lidhjeve me persona të caktuar.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING