(VIDEO) Ministria e Arsimit, shpallet thirrja publike për ushqimet e subvencionuara
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), njofton se tashmë është e shpallur thirrja publike për aplikime për të drejtën e ushqimit të subvencionuar të studentëve për vitin akademik 2026/2027. Regjistrimi për ushqimet e subvencionuara të studentëve fillon më 26 gusht. Shtetasit e Maqedonisë së Veriut që janë të regjistruar rregullisht në studimet e ciklit të parë ose të dytë, si dhe në studime të integruara në institucione shtetërore ose private të arsimit të lartë, kanë të drejtë për ushqim të subvencionuar të studentëve. Një kusht shtesë është që studenti të mos ketë të ardhura mujore në asnjë bazë më të larta se paga minimale neto në vend për vitin aktual. Ndërsa theksohet se regjistrimi vijon në mënyrë elektronike.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës
“Regjistrimi bëhet elektronikisht përmes platformës MASH, ku kandidatët duhet të plotësojnë kërkesën për fitimin e të drejtës së ushqimit të subvencionuar të studentëve dhe deklaratën e saktësisë së të dhënave të futura, dhe të ngarkojnë dokumentet e nënshkruara në aplikacionin elektronik. Afati i fundit për aplikim për studentët që tashmë kanë statusin e studentit, si dhe ata që do të regjistrohen në vitin akademik 2026/2027, është nga 26 deri më 31 gusht 2026”.
Ndërkaq duke filluar nga tetori, nga ministria lanë të ditur se aplikimi do të bëhet nga data 1 deri më 5 të çdo muaji gjatë vitit akademik. Kjo vlen për studentët që nuk e kanë ushtruar të drejtën e tyre pas thirrjes publike, si dhe për ata të cilëve u ka pushuar e drejta për shkak të mospërmbushjes së ndonjërit prej kushteve, dhe më vonë i kanë përmbushur përsëri kriteret. Ndërkohë, studentët që e ushtrojnë të drejtën e tyre për një vakt të subvencionuar do të fillojnë të marrin fondet në muajin pas atij në të cilin kanë aplikuar.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës
“Vakti i subvencionuar i studentëve është 140 denarë në ditë, fonde të destinuara për blerjen e ushqimit të përgatitur. E drejta mund të përdoret nga e hëna deri të shtunën, dhe shuma e papërdorur gjatë javës mbetet e disponueshme në llogari deri të shtunën. E drejta nuk mund të përdoret në periudhën nga 1 korriku deri më 1 tetor, si dhe gjatë festave zyrtare dhe ditëve të tjera jo pune”.
Siç raportohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, afati dhe mënyra e tërheqjes së kartave do të shpallen më vonë. Informacione shtesë mbi kushtet dhe mënyrën e aplikimit janë të disponueshme në thirrjen publike të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Anida Murati /SHENJA/

