ASH: Qeveria VMRO-VLEN humb 50 milionë nga BE-ja
Aleanca për Shqiptarët (ASH) akuzon Qeverinë VMRO-VLEN se ka humbur mundësinë për të përfituar një këst prej 50 milionë eurosh nga ndihma makrofinanciare e Bashkimit Evropian.
Sipas ASH-së, afati për të përmbushur kushtet dhe për të kërkuar këto mjete ka përfunduar më 2 gusht 2026, ndërsa autoritetet, siç pretendojnë nga kjo parti, nuk kanë paraqitur kërkesën dhe as nuk kanë përmbushur kushtet e nevojshme për tërheqjen e fondeve.
“Derisa Shqipëria realizoi objektivat e përcaktuara dhe hapi rrugën për 61 milionë euro nga Bashkimi Evropian, Qeveria VMRO-VLEN humbi mundësinë për të tërhequr këstin prej 50 milionë eurosh të ndihmës makrofinanciare të BE-së”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Nga partia opozitare e krahasojnë situatën me Shqipërinë, duke theksuar se Tirana ka realizuar reformat e kërkuara dhe ka siguruar fondet evropiane, ndërsa Maqedonia e Veriut, sipas tyre, ka humbur afatet dhe mundësinë për të përfituar miliona euro.
ASH e lidh këtë, siç shprehet në reagim, me atë që e quan “mentalitet Gruevskian të Mickoskit”, duke kritikuar njëkohësisht edhe partnerin qeveritar VLEN.
“Ndërkohë, VLEN-i vazhdon të flasë për ‘Qeveri evropiane’ dhe ‘integrim evropian’, ndërsa si pjesë e Qeverisë mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këtë dështim”, thuhet më tej në reagim.
Sipas ASH-së, procesi i integrimit evropian nuk matet me deklarata politike apo fotografi në Bruksel, por me zbatimin e reformave, respektimin e afateve dhe rezultatet konkrete për qytetarët.
“Evropa nuk matet me deklarata dhe fotografi në Bruksel. Matet me reforma të realizuara, afate të respektuara dhe rezultate konkrete për qytetarët”, përfundon reagimi i ASH-së, me mesazhin: “Paaftësia kushton!”.

