VLEN: Ahmeti po thellon përplasjet mes Grubit dhe Osmanit
VLEN ka akuzuar kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, se po përdor përplasjet e brendshme në parti për të ruajtur kontrollin mbi strukturat e saj dhe për të dobësuar rivalët e mundshëm.
Në një kumtesë me tone të ashpra, VLEN pretendon se Ahmeti, nga njëra anë, po përpiqet të mbrojë Artan Grubin në lidhje me çështjen e Lotarisë Shtetërore, ndërsa nga ana tjetër, përmes kësaj situate, po e vendos Bujar Osmanin në shënjestër të përplasjeve politike brenda BDI-së.
Sipas VLEN-it, prej kohësh brenda BDI-së qarkullojnë kërkesa që Ahmeti të tërhiqet nga drejtimi i partisë, ndërsa Osmani, sipas tyre, synon që BDI-ja të rikthehet si një forcë opozitare konkurruese.
Në reagim, VLEN e cilëson si të qëllimshme edhe mënyrën se si Ahmeti ka rikthyer në diskursin publik idenë e tërheqjes së tij nga drejtimi i partisë, duke pretenduar se ai këtë e paraqet si një vendim që pengohet nga njerëzit përreth tij.
Një pjesë e veçantë e kumtesës i kushtohet Artan Grubit. VLEN pretendon se Grubi po dërgon mesazhe publike përmes mbështetësve të tij dhe se tashmë po përballet me distancimin e një pjese të njerëzve që më parë e mbështesnin.
Sipas VLEN-it, ajo që Grubi mund të deklarojë para organeve të drejtësisë lidhur me çështjen e Lotarisë Shtetërore mund të ketë ndikim edhe te drejtues të tjerë të BDI-së. Partia e quan Grubin “kutinë e zezë” të BDI-së dhe pretendon se në strukturat e partisë ekziston frikë për atë që ai mund të thotë.
VLEN e akuzon më tej udhëheqjen e BDI-së për korrupsion dhe klientelizëm, duke pretenduar se çështja e të drejtave të shqiptarëve është përdorur si justifikim politik për mbrojtjen e interesave të saj.

