FSSH: Kleksanat në listën pozitive nga 1 korriku, farmacitë obligohen ta lëshojnë me recetë
Nga 1 korriku, ilaçi Kleksane (enoksaparinë) është bërë pjesë e listës pozitive të barnave, duke u mundësuar pacientëve ta marrin me recetë në farmacitë që kanë kontratë me Fondin e Sigurimit Shëndetësor. Megjithatë, zbatimi në praktikë duket se ende nuk është i njëjtë në të gjitha farmacitë.
Siç raportoi TV24, disa qytetarë janë ankuar se në disa farmaci u është thënë se ilaçi ende nuk lëshohet me recetë, pasi, sipas tyre, po pritet një njoftim zyrtar nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor.
Nga Fondi mohojnë se ka pengesa për lëshimin e barnës dhe theksojnë se vendimi ka hyrë në fuqi që më 1 korrik. Sipas institucionit, të gjitha farmacitë që kanë marrëveshje me Fondin janë të obliguara ta sigurojnë dhe ta lëshojnë ilaçin për pacientët që plotësojnë kushtet dhe kanë recetë të lëshuar nga mjeku amë.
Me përfshirjen e Kleksanes në listën pozitive, pacientët nuk do të kenë më nevojë ta blejnë ilaçin me shpenzimet e tyre dhe më pas të kërkojnë rimbursim, por do ta marrin atë drejtpërdrejt në farmaci përmes recetës.
Përfshirja e këtij ilaçi në listën pozitive ishte paralajmëruar që vitin e kaluar, por procedura u shty për shkak të pengesave teknike dhe administrative.
Ndërkohë, zgjerimi i fundit i listës pozitive ishte bërë në vitin 2024, kur u shtuan barna për trajtimin e hipertensionit, sëmundjeve kardiovaskulare, depresionit dhe demencës.

