(VIDEO) Gashi thirrje partive që t’i tejkalojnë dallimet rreth kodit zgjedhor

(VIDEO) Gashi thirrje partive që t’i tejkalojnë dallimet rreth kodit zgjedhor

Kryeparlamentari Afrim Gashi ju ka bërë thirrje partive politike që të bëjnë përpjekje për të tejkaluar dallimet rreth Kodit të Ri Zgjedhor. Bisedimet mes partive kanë ngecur te votimi i diasporë, pasi shumica parlamentare insiston që të vendoset një model i votimit elektronik të diasporë, por opozita maqedonase është kategorikisht kundër votimit elektronik, pasi thotë se kështu krijohet hapësirë për manipulime zgjedhore.

Ndërkaq, Gashi në parim mbështetë idenë për votim elektronik, nëse sigurohet identifikimi i votuesve dhe fshehtësia e votës. Ai gjatë birifingut të sotëm me gazetarët, tha se sipas konsultimeve që kanë pasur me ekspertë të IT-së kjo gjë është e mundur.

Sa i përket zgjedhjes së anëtarëve të ri të qeverisë, Gashi tha se, më 13 gusht është caktuar seanca, e cila mund të zgjasë dy ditë dhe anëtarët e rinj të qeverisë do të votohen individualisht.

Anëtarë të rinj të Qeverisë nga radhët e VLEN-it janë propozuar Jeton Shasivari për ministër i Drejtësisë, Agron Ferati ministër i Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive, Sedat Sulejmani ministër i Kulturës dhe Turizmit, i cili deri më tani ka qenë zëvendësministër. Nga radhet e ZNAM-it është propozuar Borçe Serafimovski për ministër i Bujqësisë, ndërsa nga VMRO-DPMNE janë propozuar Sasho Klekovski për ministër i Shëndetësisë, Gjoko Velkovski ministër i Politikës Sociale. Gjithashtu, Ivan Stoilkoviq nga Partia Demokratike e Serbëve, i cili deri më tani ka qenë ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, propozohet për ministër të Vetëqeverisjes Lokale.

Paraprakisht, duhet të shkarkohen ministrat aktualë: Igor Filkov nga Drejtësia, Cvetan Tripunovski nga Bujqësia, Azir Aliu nga Shëndetësia, Fatmir Limani nga Politika Sociale, Zlatko Perinski nga Vetëqeverisja Lokale, Zoran Ljutkov nga Kultura dhe Shaban Saliu, ministër pa resor.

Seanca e fundit e Kuvendit para pushimit veror është caktuar për më 30 korrik, ku në rend dite janë pyetjet e deputetëve.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING