(VIDEO) Në hamamin e qytetit të Tetovës u hap ekspozita “Ngjyrat që na Bashkojnë”
Ngjyrat, kreativiteti dhe talenti i të rinjve u bënë bashkë në ekspozitën e fundvitit ‘Ngjyra që na bashkojnë’, të organizuar nga shoqata Kulturore Humanitare Merhamet dhe shoqata kulturore Vizioni M. Në ambientet e Hamamit të Tetovës u prezantuan punimet e nxënësve të kursit të vizatimit dhe pikturës, të cilët përmes krijimeve të tyre përcollën mesazhe artistike dhe emocione të veçanta.
Kryetari i shoqatës MERHAMET, Ridvan Xhaferi, theksoi se përmes aktiviteteve të tilla synohet jo vetëm zhvillimi i talentit artistik, por edhe formimi i karakterit dhe edukimi i fëmijëve.
Ridvan Xhaferi, kryetari i shoqatës MERHAMET
“Aty ku është dija që organizata jonë klultivon këtë çështje shumë mirë, aty ku kultivohet dija dimë se aty koret qytetërimi. Gjithashtu aty ku kultivohet arti dhe e bukura, estetika dihet se aty koret paqja, a ka më mirë se sa arti dhe e bukura”.
Ndërkaq kryetari i shoqatës kulturore ‘Vizioni M’, Taxhudin Shabani, vlerëson se aktivitetet artistike u ofrojnë fëmijëve një alternativë të shëndetshme kundrejt përdorimit të tepërt të telefonave dhe pajisjeve digjitale. Sipas tij, përfshirja në art i ndihmon ata të zhvillojnë kreativitetin, të socializohen më shumë dhe të shmangin izolimin që mund të sjellë varësia nga teknologjia.
Taxhudin Shabani, kryetari i shoqatës kulturore VIZIONI M
“Kjo formë e artit ju mundëson që fëmijët pak të ju ikin edhe ekranizimit, edhe telefonave dhe gjërat të teknologjisë dhe digjitalizimit. Kjo sado kudo pak ju jep njëfarlloj tip barazpeshe fëmijëve që mos të jetë vazhdimisht duke preokupu me punët e telefonave, tabletave e gjërave të tjera të cilat nesër mund të kenë edhe pasoja të mbylljes, të introvertizmit e kështu me rradhë”.
Ndërkohë në përmbylljen e këtij programi 9-mujor të kursit të vizatimit dhe artit, përfaqësuesi i shoqatës “Merhamet”, Xhihad Husejini, theksoi se përveç mësimeve të vizatimit, fëmijët kanë ndjekur edhe orë shtesë të edukatës fetare.
Xhihad Husejini, anëtar i shoqatës MERHAMET
“Ne sot jemi këtu për të përmbyllur një program 9 mujor, pra kursin e vizatimit dhe artit po në të njejtën kohë duhet të përmendet që këta fëmijë përpos kursit të vizatimit që e kanë ndjekë këto 9 muaj kanë pasur edhe një orë shtesë të cilën e ka mbajtur profesoresha Maida Ismaili e cila ka qenë për edukatë fetare të nxënësve dhe përpos asaj kemi pasur edhe kursin e vizatimit të cilin e ka mbajtur profesoresha Arbina Emini”.
Ndërkaq profesoresha Arbina Emini theksoi se qëllimi i ekspozitës ishte t’u ofrohej fëmijëve një hapësirë ku të shprehin talentin dhe kreativitetin e tyre përmes artit. Ajo tha se në këtë kurs morën pjesë 15 nxënës të ciklit të lartë, nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.
Arbina Emini, profesoreshë
“Sa i përket pjesëmarrësve numri është diku tek 15,\përshkak se kemi dashur të jetë diçka pak më teknike dmth i kemi përfshi vetëm të ciklit të lartë, nga klasa e 6 deri 9, e që të mundet të meresh individualisht me secilin normal duhet një numër pak më i vogël dhe besoj se ka dalë një punë shumë e suksesshme”.
Ndërkaq nxënësja Haxhere Dauti tha se është shumë e emocionuar që mer pjesë në këtë ekspozitë si dhe tregoi për frymëzimin e pikturës të cilën e ka punuar.
Haxhere Dauti, nxënëse
“Në këtë pikturë unë kam paraqitur një vazë me lule, e cila është me shumë ngjyra të bukura që më frymëzon natyrën. Nëse ke artin pasion besoj se nuk është aq e vështirë se sa mund ta mendosh. Jam shumë e emocionuar, është shumë mirë të jesh pjesë e kësaj ekspozite. Vetëm për ëndrën që e keni vazhdioni ta bëni”.
Në fund të aktivitetit, pjesëmarrësve në këtë ekspozitë iu ndanë certifikata për angazhimin e tyre, ndërsa profesoreshës iu dha një mirënjohje për kontributin dhe përkushtimin e saj.
Anida Murati /SHENJA/

