Koncert i Muzikës Shpirtërore në Shkup| Burhan Shaban: Ky koncert është një lidhje e besimit dhe fryt i përvojës 30 vjeçare

Koncert i Muzikës Shpirtërore në Shkup| Burhan Shaban: Ky koncert është një lidhje e besimit dhe fryt i përvojës 30 vjeçare

Nesër me fillim në ora 19.30 në Filharmonia e RMV-së në Shkup, nën organizimin e Shoqatës Kulturore “Ensar”, Institutit Yunus Emre dhe HalkBank do të mbahet koncerti i muzikës sufiste, në të cilin do të performojnë artisti i njohur Burhan Shaban dhe këngëtari nga Turqia Mustafa Demirci, ndërkaq sipas organizatorëve ky organizin nuk do të jetë thjesht një aktivitet muzikor, por edhe një takim kulturor e shpirtëror.

Artisti Mustafa Demirci: “Muzika është një mjet që e afron njeriun me Zotin”

Artisti Mustafa Demirci gjatë konferencës për media, u ndal tek dimensioni shpirtëror i muzikës sufiste, duke theksuar se sufijtë e kanë konsideruar muzikën si një mjet për ta afruar njeriun me Krijuesin. “Edhe Hazreti Mevlana thotë se “muzika është ushqimi i shpirtrave të të dashuruarve”, ndërkaq Beethoven e konsideronte muzikën si një nga shkencat më të larta, sepse ajo e afron njeriun me një të vërtetë sublime”.

Demirci shtoi se në traditën e tesavufit, muzika shpirtërisht ka ushqyer njerëzit nga Azia Qendrore deri në Ballkan, nga Anadolli në mbarë botën islame. Falë ilahive janë ruajtur besimet, ku edhe kulturat janë transmetuar brez pas brezi. Sipas tij arti mbetet i përhershëm pavarësisht ndryshimeve politike, duke thënë se pushtetet ndryshojnë, vendosen ndalesa, por arti mbetet. Në këtë kuptim, muzika është bartësja më e fuqishme e kulturës shpirtërore.

Demirci bëri të ditur se në të ardhmen mund të realizohen projekte të reja në Shkup, duke përfshirë edhe bashkëpunime artistike e videoklipe me Burhan Shabanin.

Burhan Shaban: “Ky koncert është një lidhje e besimit dhe fryt i përvojës 30 vjeçare”

Artisti i mirënjohur shkupjan, Burhan Shaban, tha se ky koncert ka një peshë të veçantë emocionale për të dhe se rikthimi në skenën e qytetit ku ka lindur, pas shumë vitesh, i sjell një lumturi të veçantë.

Duke falënderuar institucionet që kontribuuan në realizimin e këtij organizimi, ai u shpreh:
“Ka një të mirë të madhe në faktin që jemi sot këtu. Ky është koncerti im i parë në këtë format në vendlindje,por shpresoj që të mos jetë i fundit.”

Shaban bëri të ditur se publiku do të ketë mundësinë të dëgjojë interpretime shumëgjuhëshe, të shoqëruara nga një orkestër e fuqishme me artistë nga Sarajeva dhe Stambolli.

Emra të rëndësishëm si Rıfat Varol do të jenë me ne. Do të jetë një mbrëmje vërtet e veçantë, tha mes tjerash Shaban.

Artisti i mirënjohur shkupjan, Burhan Shaban, ftoi të gjithë dashamirët e muzikës që të marrin pjesë në koncert. Shpresojmë që secili të përjetojë kujtime të bukura nga kjo natë artistike”.

Sulejman Baki: “Shkupi është një kujtesë e gjallë kulture dhe qytetërimi”

Prof. Dr. Sulejman Baki theksoi se Shkupi dhe rrethina e saj përbëjnë një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës osmane-turke islame.

Baki kujtoi se kjo trashëgimi nuk kufizohet vetëm në Shkup, por shtrihet nga Bosnja në Prizren, nga Selaniku në Manastir. Sipas tij, koncerti i muzikës tasavufike është një pasqyrim bashkëkohor i kësaj tradite. “Kultura që është ruajtur për shekuj me radhë në xhami, teqe dhe shtëpi, sot po ringjallet në një sallë më të madhe dhe para një publiku më të gjerë”.

Baki shtoi se aktivitete të tilla, të organizuara në bashkëpunim ndërinstitucional, mbajnë gjallë kujtesën kulturore dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Yunus Dilber: “Ballkani është një hapësirë ku tradita e tasavufit vazhdon të jetë gjallë

Drejtori i Institutit “Yunus Emre”, Yunus Dilber, tha se Ballkani mbetet një nga rajonet ku kultura tasavufite vazhdon të ruhet fuqishëm.

Ai kujtoi se në qendra si teqetë e Sinan Agës dhe Blagajit, prej shekujs në gjuhë të ndryshme lexohen veprat e Yunus Emres, Mevlanës dhe Ahmed Jeseviut, ku supas tij, kjo traditë po vazhdon sot përmes organizimeve moderne.

Dilber bëri të ditur se koncerti është përgatitur si një produksion i madh me pjesëmarrjen e artistëve nga Bosnja, Turqia dhe Shkupi.

“Ky aktivitet, që do të zhvillohet në një sallë me kapacitet prej 1.000 personash, do të kurorëzohet me shërbimin e ashures, në përputhje me frymën e muajit Muharrem.”

Ai theksoi se Instituti “Yunus Emre” organizon aktivitete të ngjashme në vende të ndryshme të botës dhe se edhe ky koncert do të shërbejë si një urë kulturore mes popujve.

Koncerti i “Muzikës Tasavufike”, i cili përmes gjuhës universale të muzikës do të bashkojë kultura dhe tradita të ndryshme, do të mbahet nesër, duke filluar nga ora 19:30, në Sallën e Filarmonisë së Shkupit. Ai pritet të jetë një mbrëmje e veçantë arti, spiritualiteti dhe afrimi mes njerëzve.

MARKETING