(VIDEO) Hulumtimi i QKC: Kontrata konfidenciale, pagesa avansi dhe projekte në letër

(VIDEO) Hulumtimi i QKC: Kontrata konfidenciale, pagesa avansi dhe projekte në letër

Mungesë transparence, pagesa të diskutueshme dhe tenderë që ngrenë dyshime për respektimin e ligjit. Këto janë disa nga gjetjet e hulumtimit më të ri të Qendrës për Komunikime Civile, i cili analizon tre raste të prokurimeve publike në vend, një në Ministrinë e Punëve të Brendshme, një në ministrinë e punëve të Jashtme dhe një në komunën e Çairit.

Sipas hulumtimit, gjatë pesë viteve të fundit qytetarët kanë paguar 73 milionë euro për pasaporta, letërnjoftime dhe patenta shoferi, ndërsa kostoja për institucionet ka qenë 29 milionë euro. Dokumentet vazhdojnë të prodhohen nga një kompani që ka fituar tenderin para 21 vitesh, ndërsa kontratat dhe anekset e tyre mbeten të klasifikuara si konfidenciale.

Në fokus të analizës është edhe tenderi i Ministrisë së Punëve të Jashtme për evakuimin e qytetarëve nga Lindja e Mesme. Hulumtimi konstaton se fluturimet me vlerë prej rreth një milion eurosh janë paguar paraprakisht, përtej kufijve të parashikuar me ligj. Po ashtu, procedura e tenderimit ka përfunduar me vetëm një ofertues, pasi kërkesa për ofertë në fazën e dytë i është dërguar vetëm një kompanie.

Në raport trajtohet edhe ndërtimi i pishinës së mbyllur në shkollën “Ismail Qemali” në Komunën e Çairit, projekt me vlerë 890 mijë euro. Edhe pse komuna kishte raportuar se kontrata ishte realizuar plotësisht në nëntor të vitit 2025, objekti u promovua zyrtarisht vetëm gjashtë muaj më vonë. Dokumentet e analizuara tregojnë se në kohën kur projekti ishte shpallur i përfunduar, ende kishte punime të pambyllura dhe nevojë për testime teknike.

Nga Qendra për Komunikime Civile thonë se këto raste ngrenë pikëpyetje serioze mbi transparencën, konkurrencën dhe menaxhimin e fondeve publike, duke kërkuar kontroll dhe mbikëqyrje më të madhe të procedurave të prokurimit publik. /SHENJA/

MARKETING