Pas më shumë se tri dekadash, mbyllet misioni politik i OKB-së në Somali

Pas më shumë se tri dekadash, mbyllet misioni politik i OKB-së në Somali

Misioni i Asistencës Tranzitore të OKB-së në Somali i ka përfunduar zyrtarisht operacionet të shtunën, duke përmbyllur një periudhë tranzicioni dyvjeçare dhe më shumë se tri dekada të angazhimit politik të OKB-së në këtë vend të Bririt të Afrikës, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Mbyllja e misionit, i njohur si UNTMIS, është bërë me kërkesë të qeverisë somaleze, sipas një deklarate të publikuar nga misioni.

OKB-ja tha se misionet e njëpasnjëshme politike e kanë mbështetur Somalinë në faza vendimtare të ndërtimit të paqes dhe shtetit, duke ndihmuar përpjekjet e udhëhequra nga vetë somalezët për rikthimin e qeverisjes, rindërtimin e institucioneve dhe nxitjen e pajtimit kombëtar.

“Sot nuk është fundi i partneritetit mes Kombeve të Bashkuara dhe Somalisë, por shënon përmbylljen e një kapitulli dhe fillimin e një tjetri”, tha Raisedon Zenenga, ushtrues i detyrës së shefit të misionit dhe zëvendëspërfaqësues special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Somalinë.

OKB-ja tha se do të vazhdojë të jetë e përkushtuar ndaj Somalisë përmes agjencive të saj rezidente dhe pranisë më të gjerë në vend, duke mbështetur përpjekjet për paqe, stabilitet, zhvillim të qëndrueshëm dhe prosperitet.

 

– Kreu i OKB-së bën thirrje për vazhdimin e mbështetjes ndërkombëtare

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, vlerësoi vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë e popullit somalez, pavarësisht sfidave me të cilat përballet vendi.

Ai gjithashtu vlerësoi përpjekjet e bëra nga Somalia në kalimin nga konflikti drejt rimëkëmbjes, duke pranuar se mbeten sfida të konsiderueshme politike, të sigurisë, humanitare dhe zhvillimore.

“Bëj thirrje për mbështetje të vazhdueshme ndërkombëtare për të konsoliduar përparimin, për të avancuar dialogun politik gjithëpërfshirës dhe pajtimin, për të forcuar institucionet dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut”, shkroi Guterres në platformën sociale amerikane X.

 

– Tri dekada të angazhimit politik të OKB-së

Mbyllja shënon fundin e një sërë misionesh politike të OKB-së në Somali, të cilat nisën me themelimin e Zyrës Politike të OKB-së për Somalinë në vitin 1995.

Në vitin 2013, këtë zyrë e pasoi Misioni i Asistencës së OKB-së në Somali, i cili vazhdoi të mbështeste zhvillimin politik dhe institucional të vendit.

Në vitin 2024, OKB-ja nisi Misionin e Asistencës Tranzitore në Somali, duke filluar fazën përfundimtare të pranisë së misioneve politike të organizatës ndërkombëtare në vend.

MARKETING