BDI kërkon ndërtimin e bulevardit “Hasan Prishtina” në rrugën drejt Kosovës

BDI kërkon ndërtimin e bulevardit “Hasan Prishtina” në rrugën drejt Kosovës

Në seancën e sotme të Këshillit të Qytetit të Shkupit, koordinatori i grupit të këshilltarëve të BDI-së, Abdylselam Selami, kërkoi realizimin e disa projekteve kapitale infrastrukturore, me theks të veçantë në ndërtimin e bulevardit “Hasan Prishtina”, i njohur më parë si rruga e Kaçanikut apo rruga drejt Kosovës.

Selami theksoi se, me vendim të Qeverisë së kaluar, Qytetit të Shkupit i ishin ndarë 6 milionë euro për ndërtimin e këtij bulevardi, ndërsa 2 milionë euro për ndërtimin e rrethrrotullimit te semaforët e rrugës Slloveneçka. Sipas tij, projektet ideore dhe bazë janë përgatitur, është përcaktuar nevoja për shpronësim dhe janë kryer konsultimet me bizneset në zonën e Vizbegut, por tenderët për realizimin e tyre ende nuk janë shpallur.

“Çdo hyrje në Shkup është bulevard, përveç hyrjes nga Kosova. Kjo rrugë, e cila sjell miliona euro tregti dhe mijëra qytetarë nga Kosova, vazhdon të jetë në gjendje të papranueshme dhe jodinjitoze”, deklaroi Selami.

Ai kërkoi sqarime se ku ndodhen mjetet e parapara për këto projekte dhe kur pritet të fillojë realizimi i bulevardit “Hasan Prishtina” dhe i rrethrrotullimit në rrugën Slloveneçka.

Njëkohësisht, Selami ngriti edhe çështjen e projekteve të tjera kapitale, si depërtimi i rrugës “Xhon Kenedi” deri te Universiteti “Nënë Tereza” dhe Ambasada Amerikane, si dhe ndërtimi i rrethrrotullimit në Gjorçe Petrov për hyrjen në Saraj dhe Kondovë.

Në emër të këshilltarëve të BDI-së, ai shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me kryetarin e Qytetit të Shkupit dhe administratën komunale, duke kërkuar që këto projekte të përfshihen në buxhetin e vitit të ardhshëm dhe të nisin procedurat për realizimin e tyre.

MARKETING