(VIDEO) Qeveria more kredi prej 140 milionë eurosh për pagesën e “Bechtel dhe Enka”

(VIDEO) Qeveria more kredi prej 140 milionë eurosh për pagesën e “Bechtel dhe Enka”

Qeveria vendosi  që detyrimet ndaj konsorciumit amerikano-turk “Bechtel dhe Enka” për ndërtimin e autostradave të Korridorit 8 dhe Korridorit 10D të paguhen përmes një kredie nga katër banka maqedonase. Vendimi është miratuar në mbledhjen e Qeverisë më 2 qershor. Kredia do të jetë në vlerë prej 140 milionë eurosh, me afat shfrytëzimi prej 30 muajsh, periudhë grace prej tre vjetësh dhe shlyerje gjatë 12 viteve të ardhshme.

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, është autorizuar të nënshkruajë garancinë shtetërore, e cila mbulon borxhin kryesor, interesin dhe komisionet në rast se Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore nuk i përmbush detyrimet ndaj bankave.

“Me këtë vendim, Qeveria lëshon një garanci shtetërore me të cilën garanton përmbushjen me kohë dhe në tërësi të detyrimeve të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore ndaj katër bankave, në bazë të komisionit për shumën e miratuar por të pashfrytëzuar të kredisë, borxhit kryesor dhe interesit”, thuhet në njoftimin e publikuar në Gazetën Zyrtare.

Në të njëjtën mbledhje është miratuar edhe një garanci shtetërore për një kredi të përbashkët prej 176,5 milionë eurosh për përfundimin e autostradës Kërçovë–Ohër, e cila deri më tani financohej nga banka kineze Exim Bank. Kushtet e kësaj kredie janë të njëjta me ato për projektin “Bechtel dhe Enka”.

/SHENJA/

MARKETING