Real Madrid dhe Vinicius në dyshime, rinovimi i kontratës me brazilianin është në ngërç

Real Madrid dhe Vinicius në dyshime, rinovimi i kontratës me brazilianin është në ngërç

E ardhmja e Vinicius Junior te Real Madrid mbetet e paqartë, pasi negociatat për rinovimin e kontratës së tij janë pezulluar prej afro një viti. Sulmuesi brazilian ka kontratë deri në qershor të vitit 2027, ndërsa bisedimet mes palëve janë ndërprerë që nga vera e kaluar.

Presidenti i klubit, Florentino Perez, ka deklaruar se shpreson që Vinicius të vazhdojë te madrilenët, por nuk ka dhënë afate konkrete për arritjen e një marrëveshjeje të re.

Sipas mediave spanjolle, Kupa e Botës mund të luajë rol vendimtar në këtë proces. Një paraqitje e suksesshme e Vinicius me Brazilin do t’i forconte pozitat e tij në negociata, ndërsa një turne më pak i suksesshëm do t’i jepte më shumë hapësirë manovrimi klubit spanjoll.

Burime pranë negociatave bëjnë të ditur se lojtari ka ulur ndjeshëm kërkesat e tij financiare krahasuar me ato fillestare. Vinicius synon të ketë një status ekonomik të ngjashëm me atë të Kylian Mbappe, i cili konsiderohet ndër futbollistët më të paguar të skuadrës.

Pavarësisht vonesave, të dyja palët vazhdojnë të shprehin dëshirën për të vazhduar bashkëpunimin. Megjithatë, rinovimi i kontratës duket se do të diskutohet seriozisht vetëm pas përfundimit të Kupës së Botës, kur edhe e ardhmja e brazilianit në Madrid pritet të marrë një drejtim më të qartë.

MARKETING