(VIDEO) LSDM me interpelancë dhe padi për Gashin, VMRO: LSDM prej vitesh e bën të njëjtën, i ikën debatit
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, njoftoi se grupi parlamentar i LSDM-së do të ngrejë padi penale dhe interpelancë kundër kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, për shkak të siç thotë, shkeljes së vazhdueshme të Rregullores së Punës dhe shpërdorimit të detyrë. Ai gjithashtu njoftoi se LSDM nuk do të marrë pjesë në punën e komisionit amë për Financim dhe Buxhet në debatin për huamarrjen e re prej 260 milionë eurosh.
Sinkron: Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së
“Grupi ynë parlamentar nuk do të marrë pjesë në këtë huamarrje brutale dhe të përditshme të vendit për shuma të mëdha, qindra milionë euro, miliarda euro para, të cilat nuk shkojnë askund, përveçse kontrollohen rreptësisht në kompanitë partiake përmes procedurave të tenderimit. Ne nuk do të marrim pjesë në debatin e komisionit për këtë temë dhe po tërhiqemi plotësisht prej tij”.
Në një konferencë paralele për shtyp, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, tha se qëllimi për të bërë interpelancë është një siç e quajti “produkt i dëshpëruar politik” dhe se mospjesëmarrja e LSDM-së në debatin mbi borxhin e ri nuk është e re për partinë opozitare.
Sinkron: Bojan Stojanoski, deputet i VMRO-DPMNE-së
“Së pari, u pretendua se nuk kishte kushte hapësinore në Sallën 4, domethënë nuk kishte vend për t’u ulur, ne siguruam një vend. Pastaj, u pretendua se kredia u vu si pika e dytë në rend të ditës, ne e vumë si pika e parë. Kur erdhi momenti që argumentet të përballeshin aty ku u takon, në parlament, LSDM vendosi të bënte ‘atë që ka bërë prej muajsh dhe vitesh: të shpëtonte nga debati’”.
Stojanoski theksoi se me mjetet që do marrin hua do të vazhdojnë realizimin intenziv të investimeve kapitale, rritjen e bruto prodhimit vendor dhe se do investojnë në paga më të larta, pensione më të larta, ndërtim të 3 autostradave, hekurudhës së shpejtë dhe rikonstruim të hekurudhave ekzistuese, spitale dhe shkolla të reja dhe vazhdim të realizimeve të 1 200 projekteve kapitale mbarë vendit.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

