Durmishi: Investimi në të rinjtë dhe fuqinë punëtore është çelësi i zhvillimit ekonomik

Durmishi: Investimi në të rinjtë dhe fuqinë punëtore është çelësi i zhvillimit ekonomik

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, mori pjesë sot në takimin e Grupit sektorial të punës për arsim, punësim dhe politikë sociale, ku u diskutua për reformat dhe politikat që ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Në fjalimin e tij, ministri Durmishi theksoi se arsimi, tregu i punës dhe politika sociale janë fusha të ndërlidhura ngushtë dhe kërkojnë koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve, partnerëve ndërkombëtarë dhe sektorit privat.

“Si Ministri e Ekonomisë dhe Punës, mbetemi të angazhuar në krijimin e politikave që sigurojnë më shumë vende pune, kushte më të mira pune dhe ekonomi më konkurruese. Fokusi ynë është ndërtimi i një tregu modern dhe fleksibël të punës që u përgjigjet nevojave të kompanive dhe qytetarëve”, deklaroi Durmishi.

Ai potencoi se sfidat aktuale, si mungesa e fuqisë së kualifikuar punëtore, migrimi i të rinjve dhe nevoja për shkathtësi të reja, kërkojnë politika konkrete dhe masa aktive për punësim.

Sipas tij, përmes Planit Operativ për Programet dhe Masat Aktive të Punësimit, Ministria vazhdon të mbështesë personat e papunë dhe kompanitë që krijojnë vende të reja pune, duke ofruar trajnim praktik, mundësi për vetëpunësim dhe integrim më të madh të kategorive të rrezikuara në tregun e punës.

Ministri Durmishi veçoi edhe rëndësinë e Ligjit të Shtesës për të Rinjtë, përmes të cilit të rinjtë deri në moshën 23 vjeç, të punësuar në veprimtari prodhuese, përfitojnë mbështetje mujore prej 3.000 denarësh.

“Besojmë se investimet në kapitalin njerëzor janë çelësi i zhvillimit afatgjatë ekonomik dhe mbajtjes së të rinjve në vend”, theksoi ministri Durmishi.

Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, Bashkimit Evropian, UNICEF-it dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

MARKETING