Kandidatët për rektor të Universitetit të Tetovës realizuan takim të përbashkët për një proces zgjedhor demokratik dhe transparent
Me iniciativë të Komisionit Universitar Zgjedhor, sot u zhvillua një takim i përbashkët me kandidatët për rektor të Universitetit të Tetovës për mandatin 2026–2029. Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe akademike, në funksion të garantimit të një procesi zgjedhor demokratik, transparent dhe dinjitoz.
Kryetari i Komisionit Universitar Zgjedhor Prof. Dr. Metin Izeti, shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e tij ndaj kandidatëve: Prof. Dr. Fehari Ramadanit, Prof. Dr. Kushtrim Ahmetit dhe Prof. Dr. Jusuf Zejnelit, për gatishmërinë dhe kulturën akademike të treguar në zhvillimin e këtij takimi, të cilin e cilësoi si hap të rëndësishëm drejt një gare korrekte dhe me standarde universitare.
Gjatë takimit, kandidatët u informuan mbi kalendarin e aktiviteteve zgjedhore, me theks të veçantë për afatet dhe organizimin e prezantimit të platformave të tyre programore para stafit akademik, përkatësisht trupit votues të Universitetit të Tetovës.
Anëtarët e Komisionit Universitar Zgjedhor, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Universitetit z. Adem Beadini, këtë takim e vlerësuan si një moment të rëndësishëm për forcimin e frymës së bashkëpunimit dhe të kulturës demokratike brenda institucionit, në prag të zgjedhjeve për rektor që do të mbahen më 4 qershor 2026.
Ndërkaq, kandidatët për rektor theksuan nevojën që fushata zgjedhore të përqendrohet kryesisht në prezantimin e vizioneve dhe platformave programore, të orientuara drejt zhvillimit të mëtejmë të Universitetit të Tetovës si institucioni më i rëndësishëm i arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Ata po ashtu nënvizuan përvojën e tyre shumëvjeçare dhe rolet e mëparshme drejtuese, duke theksuar gatishmërinë për t’i funksionalizuar ato në avancimin e Universitetit të Tetovës si një institucion modern, në nivel me universitetet e tjera bashkëkohore.
Në ditët në vijim pritet të realizohen edhe prezantimet zyrtare të platformave programore para stafit akademik të fakulteteve të Universitetit të Tetovës.





