Maqedonia e Veriut, Greqia, Serbia dhe Bullgaria janë dakorduar për zgjerimin e Korridorit Vertikal për sigurinë energjetike
Në takimin e katërt ministror për energjetikë dhe ndërlidhje në Evropën Juglindore, i mbajtur në Athinë, ministrat dhe përfaqësues nga Greqia, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë arritur marrëveshje për zgjerimin e Korridorit Vertikal drejt Ballkanit Perëndimor.
Sipas Ministrisë greke të Mjedisit dhe Energjetikës, në takim u diskutuan sfidat e sigurisë energjetike në nivel rajonal dhe evropian, si dhe nevoja për forcimin e ndërlidhjeve dhe përshpejtimin e projekteve strategjike të infrastrukturës energjetike.
Stavros Papastavrou deklaroi se është rënë dakord për zgjerimin e Korridorit Vertikal me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, si dhe për institucionalizimin e bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse.
Ai shtoi se takimi i radhës do të mbahet në Beograd në muajin shtator, duke theksuar rëndësinë e një qasjeje të përbashkët për stabilitetin energjetik në rajon.
Zyrtarët pjesëmarrës vlerësuan se ky bashkëpunim mund të rrisë sigurinë e furnizimit me energji dhe të ulë varësinë nga burimet e jashtme. Po ashtu, u theksua se projektet e reja do të ndihmojnë në integrimin më të shpejtë të tregut energjetik në rajon. Në fund të takimit u theksua se energjia po shndërrohet në një instrument kyç për zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim rajonal.

