Si e ktheu Interi zhgënjimin e sezonit të shkuar në forcë drejt trofeve?
Interi e vulosi titullin e kampionit në Serie A pas fitores 2-0 ndaj Parmës të dielën, duke e rikthyer Scudetton në Milano tri xhiro para përfundimit të kampionatit. “Nerazzurrët” tashmë kanë 12 pikë më shumë se Napoli në renditje.
Skuadra e Cristian Chivut mund ta mbyllë sezonin me dy trofe vendorë, nëse triumfon edhe në finalen e Kupës së Italisë ndaj Lazios më 13 maj.
Herën e fundit kur Interi i fitoi të dy trofetë në Itali ishte në epokën e Jose Mourinhos, në vitin 2010, kur klubi arriti edhe tripletën historike.
Nga “dëshpërimi i trefishtë” te rikthimi i fuqishëm
Festa e së dielës ishte në kontrast të plotë me zhgënjimin e hidhur të sezonit të kaluar, kur një edicion premtues përfundoi pa asnjë trofe.
Një muaj para fundit të kampionatit të kaluar, Interi ishte në garë për tre trofe të mëdhenj, por në fund mbeti një pikë prapa Napolit në Serie A, u eliminua në gjysmëfinale të Kupës së Italisë dhe pësoi humbje të rëndë 5-0 nga PSG-ja në finalen e Ligës së Kampionëve.
Ndryshimi i trajnerit dhe dilemat fillestare
Largimi i Simone Inzaghit në fund të sezonit të kaluar nuk u konsiderua befasi e madhe, sidomos në një klimë ku për javë të tëra ishte përfolur për ndarjen, para se trajneri italian të pranonte një kontratë të majme në Arabinë Saudite, te Al-Hilal.
Megjithatë, emërimi i Cristian Chivut – një trajner me përvojë të kufizuar në nivelin më të lartë – ngriti dilema. Chivu e kishte drejtuar Parman vetëm në 13 ndeshje në Serie A, pasi kishte marrë detyrën në shkurtin e vitit të kaluar dhe i kishte dhënë ekipit më shumë siguri.
Rumuni e njihte mirë Interin, pasi shtatë vitet e fundit kishte punuar me grupmoshat e klubit. Si lojtar, ai e kishte mbyllur karrierën te Interi në vitin 2014 dhe ishte pjesë e ekipit legjendar që fitoi tripletën në vitin 2010. Chivu kontribuoi edhe në dy tituj të tjerë kampioni me “nerazzurrët”.
Ide të reja, agresivitet dhe harmoni
Qasja e Chivut dhe idetë e tij të reja e rigjallëruan Interin. E bëri skuadrën më agresive, riktheu harmoninë në dhomën e zhveshjes dhe integroi edhe talente nga akademia, si Pio Esposito.
Ai solli gjithashtu metoda të reja stërvitore me synim rritjen e nivelit fizik të ekipit, një aspekt që i kishte kushtuar shumë Interit në sezonin e kaluar për shkak të lëndimeve të shumta.
Këtë sezon, me përjashtim të Denzel Dumfries dhe Hakan Çalhanoglut, shumica e lojtarëve kyç shmangën mungesat e gjata. Ndryshe ndodhi te rivalët, sidomos te Napoli, që u përball me probleme të vazhdueshme me lëndime gjatë gjithë edicionit – madje që para nisjes së sezonit.
Luhatje në mes të sezonit dhe rikthimi vendimtar
Në një fazë të sezonit dukej se Interi mund të përsëriste rënien e vitit të kaluar. U eliminua nga Bodo/Glimt në Ligën e Kampionëve, por reagoi shpejt me fitore ndaj Genoas në Serie A dhe u shkëput deri në 13 pikë.
Më pas erdhi një periudhë e vështirë: vetëm dy fitore në tetë ndeshje, çka bëri që diferenca të zbriste në gjashtë pikë. Seria negative u ndërpre me fitoren spektakolare 5:3 ndaj Romës dhe prej asaj pike Interi nuk u kthye më prapa.
Skuadra e mbajti epërsinë deri në fund, e siguroi titullin dhe tani e ka vëmendjen te finalja e Kupës së Italisë, ku synon ta kompletojë sezonin me një tjetër trofe.

