(VIDEO) OKB: Bullgaria ka shkelur të drejtën e lirisë së asociimit të një maqedonasi etnik
MARKETING
Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka shqyrtuar një ankesë individuale të paraqitur nga një qytetar maqedonas që jeton në bullgari, i cili është anëtar ose bashkëthemelues i disa organizatave jofitimprurëse të maqedonasve etnikë në Bullgari. Në ankesën e parashtruar, ai pretendon se asnjë nga këto organizata nuk është regjistruar në Bullgari si rezultat i një politike që mohon njohjen e identitetit etnik maqedonas. Pas shqyrtimit të rastit, komiteti i OKB-së konkludoi se, Bullgaria ka shkelur të drejtën e lirisë së asociimit të një maqedonasi etnik, bashkëthemelues i një organizate jofitimprurëse për të drejtat e njeriut, pasi gjykatat vendase refuzuan kërkesën e tij për regjistrimin e shoqatës pa dhënë një arsyetim të vlefshëm ligjor.
MARKETING
Ivon Donders, anëtare e Komitetit të OKB-së
“Realizimi i plotë i së drejtës për lirinë e asociimit në një mjedis të favorshëm është themel i një shoqërie demokratike. Ekzistenca e shoqatave që promovojnë në mënyrë paqësore ide për tolerancë dhe bashkëjetesë të grupeve të ndryshme etnike duhet të mbrohet, edhe nëse pikëpamjet e tyre nuk ndahen nga autoritetet apo shumica e popullsisë. Kjo shprehje e pluralizmit, diversitetit dhe tolerancës udhëheq punën aktuale të Komitetit lidhur me draft-komentin e përgjithshëm nr. 38 për të drejtën e lirisë së asociimit”.
Komiteti shtoi se autoritetet vendase nuk kanë shqyrtuar informacionet shtesë të paraqitura nga parashtruesi në mbështetje të kërkesës së tij lidhur me aktivitetet e shoqatës jofitimprurëse për të drejtat e njeriut, dhe as nuk kanë shpjeguar se cilat dispozita të ligjit janë shkelur. Prandaj, Komiteti konkludoi se shteti nuk e ka justifikuar refuzimin e kërkesës për regjistrim të shoqatës, as nuk ka treguar se refuzimi ishte i domosdoshëm dhe proporcional.
Ivon Donders, anëtare e Komitetit të OKB-së
“Ky rast gjithashtu ilustron rolin kyç që luan gjyqësori në mundësimin e ushtrimit të së drejtës për lirinë e asociimit. Mbrojtja e sundimit të ligjit është e pandashme nga një shoqëri demokratike, dhe të drejtat e Paktit do të ishin teorike pa garanci të forta gjyqësore dhe akses në mjete efektive juridike”.
Komiteti për të Drejtat e Njeriut i bëri thirrje Bullgarisë të rishqyrtojë vendimet gjyqësore vendase me të cilat është refuzuar regjistrimi dhe t’i sigurojë parashtruesit kompensim të përshtatshëm, përfshirë rimbursimin e tarifave dhe shpenzimeve të tjera ligjore që rrjedhin nga shkelja
Teuta Buçi /SHENJA/

