Përplasje për kushtet në konviktin “Stiv Naumov”, Janevska: Kushtet janë të shkëlqyera

Përplasje për kushtet në konviktin “Stiv Naumov”, Janevska: Kushtet janë të shkëlqyera

Kushtet në konviktin e rinovuar “Stiv Naumov” në Shkup janë bërë objekt përplasjesh mes pushtetit dhe opozitës. Të rinjtë socialdemokratë akuzojnë për lagështi, rrjedhje uji dhe probleme me ngrohjen e ujin e ngrohtë, ndërsa ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, i hedh poshtë pretendimet, duke vlerësuar se kushtet për studentët janë të shkëlqyera.

MARKETING

Shik.mk

Përmes një reagimi në Facebook, Janevska theksoi se “Stiv Naumov” është konvikti i parë nga nëntë objektet studentore që do të rinovohen plotësisht gjatë mandatit të Qeverisë aktuale. Ajo pranoi se mund të ketë mangësi të izoluara, por nënvizoi se objekti është ende nën garanci dhe kompania realizuese po i sanon problemet e evidentuara.

Ministrja përmendi edhe raste të dëmtimeve dhe përdorimit të papërgjegjshëm të ambienteve nga banorët, përfshirë bllokimin e kanalizimit, aktivizimin e alarmeve dhe dëmtimin e një radiatori. Ajo gjithashtu siguroi se ushqimi i shërbyer në konvikt i përmbush standardet e përcaktuara ushqyese.

Reagimi i Janevskës erdhi pas akuzave të nënkryetarit të Rinisë Socialdemokrate, Bojan Cvetanoski, i cili vuri në pikëpyetje mënyrën e shpenzimit të mjeteve për rinovimin e objektit. Sipas tij, është e papranueshme që studentët të përballen me lagështi, rrjedhje uji dhe probleme me ngrohjen në një konvikt që sapo është rinovuar.

Janevska u bëri thirrje përfaqësuesve të LSDM-së që ta vizitojnë personalisht konviktin dhe të njihen nga afër me kushtet në të.

MARKETING