(VIDEO) Mickoski: Akcizat e karburantit u ulën, rritja e çmimeve u pengua
MARKETING
Ashtu edhe siç u paralajmërua, Qeveria në seancën e sotme vendosi për uljen e akicizës së derivateve të naftës. Gjegjësisht akciza e dizelit ulet për 4 denarë, ndërsa e benzinës në 2 denarë për litër. Nëse nuk do të ulnin akcizën, kryeministri thotë se litra e dizelit do të kushtonte rreth 102 denarë për litër. Po ashtu njoftoi se kanë marrë vendim edhe për zgjatjen e masës për uljen e TVSH-së në 10%.
MARKETING
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Meqenëse kanë kaluar dy javë që kur norma e TVSH-së u ul nga 18 në 10 përqind, dua të informoj publikun se po e zgjasim masën deri në fund të krizës, e cila pritet të skadojë rreth datës 20 prill. Pra, po e zgjasim normën e reduktuar të TVSH-së nga 18 në 10 përqind, dhe në të njëjtën kohë kemi marrë një vendim që lejon një ulje të akcizës për naftën me 4 denarë, dhe për benzinën pa plumb 95 dhe 98 oktanë me 2 denarë për litër, gjë që do të ndihet në mënyrë dramatike në çmimet e benzinës”.
Gjithashtu bëri me dije se janë marrë vesh me OKTA-an që uljen e derivateve ta vazhdojnë deri në fund të prillit, gjegjësisht ulje për dizelin 3 denarë dhe 2 denarë për benzinën.
Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe mbetet në qëndrimin se këto masa të Qeverisë janë të vonuara dhe jo efikase. Sipas tij, këto masa janë marrë tepër vonë, që të mund realisht të mbrojnë standardin e qytetarëve.
Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së
“Masat janë të vonuara, të pamjaftueshme dhe nuk do të kenë absolutisht asnjë efekt, sepse spiralja e rritjes së çmimeve ka filluar tashmë. Kur paralajmëruam se ato duhet të futen në fuqi në kohën e duhur, siç kanë bërë shumë vende në rajon, qeveria u bë e shurdhër, thjesht nuk na dëgjoi dhe kjo është arsyeja pse ekziston kjo situatë.”
Kryeministri informoi se javën e kaluar konsumi i derivateve të naftës arriti në një rekord prej 2.000.000 litrave në ditë.
Përndryshe, çmimet e reja të derivateve të naftës, Komisioni Rregullator i Energjetikës, i publikon të hënën.
Emine Ismaili /SHENJA/

