BDI: Mickoski po rikthen logjikën e vitit 1991, po goditet direkt Marrëveshja e Ohrit dhe Gjuha Shqipe
MARKETING
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar përmes një komunikate, duke e cilësuar deklaratën e kryeministrit Hristijan Mickoski në Kuvend për përdorimin e gjuhës shqipe si një nga momentet më shqetësuese në diskursin politik që nga nënshkrimi i Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.
MARKETING
Në reagim thuhet se pretendimi i kryeministrit, sipas të cilit gjuha shqipe mund të përdoret “sa të doni”, por se gjuha zyrtare është vetëm maqedonishtja, nuk është thjesht një deklaratë politike. Sipas BDI-së, kjo përbën një rikthim të drejtpërdrejtë në logjikën e Kushtetutës së vitit 1991, duke anashkaluar Amendamentin V të vitit 2001, i cili konsiderohet themel i rendit kushtetues dhe i balancës ndëretnike në vend.
“Ky qëndrim cenon thelbin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila nuk është kompromis simbolik, por një arkitekturë reale e bashkëjetesës, e ndërtuar për të kapërcyer burimet e konfliktit që prodhoi Kushtetuta e vitit 1991”, thuhet në komunikatë.
Nga BDI theksojnë se relativizimi i statusit të gjuhës shqipe nuk është çështje interpretimi, por një hap i rrezikshëm që prek drejtpërdrejt marrëdhëniet ndëretnike dhe funksionimin e demokracisë multietnike në vend.
Më tej, në reagim thuhet se kjo qasje përfaqëson një kthim prapa dhe një përpjekje për të rishikuar arritjet themelore të shtetit, në kundërshtim me konceptin e një shteti demokratik dhe multi-etnik.
Në fund, BDI i bën thirrje kryeministrit që të tërhiqet nga kjo qasje dhe të respektojë plotësisht rendin kushtetues që buron nga Marrëveshja e Ohrit.
“Çdo devijim nga ky rend nuk është vetëm gabim politik, por edhe goditje ndaj themeleve të bashkëjetesës dhe funksionalitetit të shtetit”, theksohet në reagim.

