BDI: Ivan Stoilkoviç largon pesë shqiptarë me vendim arbitrar
MARKETING
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj vendimit të ministrit Ivan Stoilkoviç për largimin nga puna të pesë punonjësve shqiptarë në Ministrinë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, duke ngritur shqetësime serioze për respektimin e ligjit dhe mënyrën e funksionimit të institucioneve publike.
MARKETING
Sipas BDI-së, rasti përmban elemente të një procesi të kontestueshëm si në aspektin procedural ashtu edhe në atë material. Partia thekson se procedura disiplinore është zhvilluar jashtë afateve ligjore, çka sipas tyre e bën atë juridikisht të pavlefshme.
Po ashtu, në reagim thuhet se vendimi është marrë pa prova të mjaftueshme dhe pa përcaktuar përgjegjësi individuale, ndërsa përmenden edhe indikacione për ndërtim të mëvonshëm të argumenteve për të justifikuar një vendim të marrë paraprakisht. BDI vlerëson se masa e ndërprerjes së marrëdhënies së punës është joproporcionale në raport me pretendimet.
Partia opozitare paralajmëron se këto veprime përbëjnë një model të rrezikshëm vendimmarrjeje dhe mund të interpretohen si arbitrare, sidomos kur merren pa respektuar afatet ligjore dhe pa prova të qëndrueshme.
Rasti bëhet edhe më i ndjeshëm, sipas BDI-së, për shkak se bëhet fjalë për pesë punonjës shqiptarë në një ministri që ka për mision marrëdhëniet ndërmjet bashkësive, duke shtuar nevojën për transparencë të plotë dhe paanshmëri.
BDI kërkon publikimin e plotë të procedurave dhe vendimeve që kanë çuar në këto largime, hetim institucional për respektimin e ligjit dhe rishqyrtim të menjëhershëm të vendimeve në përputhje me standardet e administratës publike.
Sipas tyre, ky rast duhet të shërbejë si test për seriozitetin e institucioneve dhe përkushtimin ndaj parimit të barazisë dhe ligjshmërisë.

