Krerët e Maqedonisë së Veriut urojnë Fitër Bajramin
MARKETING
Krerët institucionalë të Maqedonisë së Veriut kanë përcjellë urimet e tyre për besimtarët me rastin e festës së Fitër Bajramit.
MARKETING
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, me rastin e festës së madhe Bajramit të Ramazanit, u dërgoi mesazh urimi besimtarëve të besimit islam dhe kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir ef. Fetahu.
“Juve personalisht, anëtarëve të Rijasetit, myftinjve dhe imamëve, si dhe të gjithë besimtarëve të besimit islam në Maqedoni, ju shpreh urimet e mia më të ngrohta me rastin e festës së madhe myslimane – Bajramit të Ramazanit. Festa e madhe është më shumë sesa një festë tradicionale dhe respektim i normave dhe rregullave. Bajrami i Ramazanit është një shprehje e besimit të thellë, spiritualitetit, mëshirës, harmonisë dhe dashurisë. Energjia dhe ngrohtësia e muajit të shenjtë nuk janë të pranishme vetëm në ndërtesat fetare islame dhe në shtëpitë e bashkëqytetarëve tanë të besimit islam, ato ndihen në të gjithë komunitetin. Në një kohë kur i gjithë njerëzimi po përballet me konflikte serioze, luftëra, kriza, ndryshime klimatike dhe kur kemi nevojë të madhe për paqe dhe stabilitet, vetëm me unitet, respekt dhe vlerësim të ndërsjellë mund të ndërtojmë një shoqëri të shëndetshme dhe një atdhe të begatë”, thuhet në mesazhin e presidentes Siljanovska Davkova.
Në mesazhin e tij, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, uroi paqe, shëndet dhe begati për të gjithë besimtarët dhe familjet e tyre.
Ai theksoi se pas një muaji përkushtimi, reflektimi dhe sakrifice, muaji i Ramazanit rikujton vlerat e durimit, përulësisë dhe solidaritetit. Po ashtu, ai shprehu shpresën që agjërimi, lutjet dhe veprat e mira të jenë pranuar, duke inkurajuar qytetarët që të vazhdojnë të kultivojnë mirësinë, respektin dhe bashkëpunimin në përditshmërinë e tyre.
“Me rastin e Fitër Bajramit, ju uroj nga zemra paqe, shëndet dhe begati për ju dhe familjet tuaja! Pas një muaji përkushtimi, reflektimi dhe sakrifice, Ramazani na rikujtoi vlerat e durimit, përulësisë dhe solidaritetit. Duke uruar që agjërimi, lutjet, veprat e mira dhe adhurimet tuaja të jenë pranuar, le të vazhdojmë të kultivojmë mirësinë, respektin dhe bashkëpunimin në përditshmërinë tonë. Le të jetë kjo ditë feste një moment afrimi, që forcon lidhjet tona dhe na frymëzon për më shumë kujdes ndaj njëri-tjetrit. Në emrin tim personal dhe të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ju uroj për shumë mote Bajramin e Madh!”, thuhet në urimin e Gashit.
Edhe kryeministri Hristijan Mickoski uroi besimtarët duke dëshiruar që të kujtojmë vlerat e vërteta që na bashkojnë si njerëz, respektin, solidaritetin, humanizmin dhe kujdesin për të tjerët.
“Kjo festë na mëson se forca e një shoqërie matet me sa të gatshëm jemi për të dhënë një dorë, për të ndihmuar dhe për të treguar mirëkuptim.
Si popull, gjithmonë kemi ditur të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit në momentet më të rëndësishme. Kjo është arsyeja pse, sot më shumë se kurrë, është e nevojshme të vlerësojmë bashkëjetesën, të ndërtojmë besim dhe të investojmë në një të ardhme të përbashkët të mbushur me paqe, stabilitet dhe begati për të gjithë qytetarët. Gëzimi i Bajramit le t’i mbushë shtëpitë tuaja me ngrohtësi, dashuri dhe mirëqenie”, shkroi Mickoski në Facebook.

