Gjykimi për “Pulse”: Sigurimi duhej të ndërhynte për të miturit
Procedurat ligjore për pajisjen me licenca dhe detyrimet në fushën e sigurimit privat ishin në qendër të seancës së sotme gjyqësore lidhur me zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçani.
Në seancë dëshmoi kryetarja e Odës së Sigurimit Privat, Verica Milevska-Stefanovska, e cila theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme lëshon lejet mbi bazë të kritereve të rrepta ligjore. Ajo nënvizoi se licenca është e detyrueshme për çdo punonjës të sigurimit privat.
Sipas saj, për sigurim fizik kërkohen minimumi 15 persona, ndërsa kontratat me shfrytëzuesit duhet të jenë patjetër në formë të shkruar, në të kundërt konsiderohen të pavlefshme. Gjithashtu, në rastet kur angazhohen më shumë se pesë persona, është i detyrueshëm hartimi i një plani sigurimi që dorëzohet në polici.
Milevska-Stefanovska shtoi se personeli i sigurimit ka të drejtë të kryejë kontroll në hyrje dhe është i obliguar të reagojë në rast të pranisë së të miturve pas mesnate.
Ajo gjithashtu konfirmoi se përdorimi i piroteknikës përbën rrezik serioz për sigurinë.
Gjykimi pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve të rinj të propozuar nga Prokuroria.

